Biden thotë se do ta takojë Putinin vetëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Presidenti amerikan ka mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin francez, Emmanuel Macron.

Joe Biden tha se aktualisht nuk e ka në plan ta kontaktojë presidentin rus, Vladimir Putin, raporton theguardian.

Megjithatë, ai është i përgatitur të flasë me të nëse lideri rus tregon interes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vetëm në konsultim me aleatët e NATO-s.

 

“Nuk kam plane të menjëhershme që ta kontaktojë Putinin”, tha Biden në një konferencë shtypi me Macronin.

“Jam i përgatitur të flas me Putin, nëse në fakt ka interes që ai të vendosë se po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk e ka bërë këtë ende”, tha i pari i shtetit amerikan.

Ndryshe, Biden deklaroi se nuk e kishte pritur që forcat ruse të ishin kaq brutale në Ukrainë.

Biden tha se mbështetja do të vazhdojë përballë agresionit rus, i cili shton se ka qenë “tepër brutal”. Ai shtoi se “e dija se Rusia ishte brutale, por nuk e prisja që të ishin aq brutale sa kanë deri më tani”.

 

“Sot ne ripohojmë se do të qëndrojmë së bashku kundër këtij brutaliteti. Ne do të vazhdojmë këtë mbështetje të fortë për popullin ukrainas, ndërsa ata mbrojnë shtëpitë e tyre, familjet e tyre, spitalet, çerdhet e tyre, sovranitetin e tyre, integritetin e tyre, kundër agresionit rus”, deklaroi ai.

Ai shton se Franca ka mirëpritur më shumë se 100 mijë refugjatë ukrainas dhe me këtë rast e falënderoi Macronin.

“Sulmimi i infrastrukturës civile, shkatërrimi i energjisë në Evropë për të rritur çmimet, duke përkeqësuar krizën ushqimore. Kjo po dëmton njerëzit shumë të cenueshëm jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë botën. Por ai nuk do të ketë sukses. Ne do të punojmë së bashku për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e tyre dhe për të zbutur ndikimet globale të luftës së Putinit në pjesën tjetër të botës”, deklaroi i pari i shtetit amerikan.

Presidenti amerikan thotë se vendi po ndihmon Evropën dhe se një marrëveshje e re është rënë dakord me Francën për energjinë bërthamore.