Biden thotē “inshallah” në debatin me Trumpin

I nominuari nga radhët e demokratëve për president Joe Biden hodhi dyshime gjatë debatit të së martës mbrëma nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka ndërmend të publikojë deklarimet tatimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Do t’i shihni”, tha Trump në mënyrë të përsëritur ndërsa moderatori Chris Wallace e shtyri që publikimin e tyre ta bëjë brenda një afati të caktuar. Biden ia ktheu “Kur? Inshallah?.

Ndërsa fraza në gjuhën arabe fjalë për fjalë do të thotë “Në dhashtë Zoti”, ajo gjithashtu ka konotacione të dykuptimtë.

Biden më herët publikoi deklarimet tatimore të të ardhurave të tij personale, të cilat tregojnë se ish-zëvendëspresidenti dhe gruaja e tij Jill Biden paguan rreth 30 për qind të të ardhurave të tyre personale të 985.000 dollarëve.

Trump ka refuzuar të publikojë vullnetarisht deklarimet tatimore të të ardhurave të tij, të cilat janë si një zakon presidencial që praktikohet me dekada.

“New York Times” raportoi të hënën se Trump nuk paguante asnjë taksë federale të të ardhurave në 10 nga 15 vitet e fundit. Thuhet se ish-biznesmeni pagoi vetëm 750 dollarë taksë federale të të ardhurave në vitin 2016 dhe 750 dollarë tjera në vitin 2017, vitin kur ai mori detyrën.

Trump e kundërshtoi raportin gjatë debatit të martën mbrëma, duke thënë se ai “ka paguar miliona dollarë taksa dhe miliona dollarë taksë mbi të ardhurat”.