Biden në epërsi, përkrahja për Trumpin po bie

Kandidati i demokratëve, Joe Biden ka një epërsi prej 10 pikëve ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në mesin e votuesëve të regjistruar në anketën e fundit të ABC Neës/Washington Post, kanë bërë të ditur të dielen mediet amerikane.

Sidoqoftë, kjo përqindje është në pikëpyetje, shkaku që gjysma e atyre që e kanë mbështetur Bidenin kanë thënë se mund të mos dalin për të votuar, gjë që pasqyron sfidën që e ka Bideni për t’i bindur votuesit të hedhin votat e tyre.

Trumpi ndërkaq përballet me sfidat e veta, përfshirë kritikat e mëdha për mënyrën se si ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit.

Përkrahja e qytetarëve për punën e Trumpit ka pësuar sërish rënie, 45-53 për qind, një rritje kjo prej shtatë për qind e të pakënaqurve për dallim nga fundi i marsit.

Vlerësimi që kanë qytetarët për Trumpin, veçanërisht për mënyrën se si ka menaxhuar pandeminë, është gati identike 46-53 për qind, ku përkrahja ka rënë për 5 për qind të pikëve dhe mospëlqimi është rritur për tetë për qind në dy muajt e fundit.