Biden: Mbrojtja kolektive e NATO-s është “detyrim i shenjtë”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se artikulli i NATO-s mbi mbrojtjen kolektive është një “detyrim i shenjtë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“NATO është Artikulli i 5-të dhe e konsideroni atë si një detyrim të shenjtë”, i tha presidenti amerikan Biden, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e mirëpriti atë në Samitin e liderëve të NATO-s.

Biden shpjegoi gjithashtu se ai e vlerësonte parimin e mbrojtjes kolektive të aleancës ushtarake përgjatë “gjithë karrierës sime, në katër vitet që isha jashtë kur vendosa të kandidoja për president”.

“NATO është shumë e rëndësishme për interesin e SHBA-së dhe nëse nuk kishte një të tillë, do të na duhej ta shpiknim”, tha ai.

Komentet e Biden-it janë një dëshmi e angazhimit të SHBA-së për NATO-n dhe parimin e mbrojtjes kolektive që u kundërshtua nga paraardhësi i tij Donald Trump.

Artikulli i 5-të i Traktatit të Atlantikut të Veriut është themeli i aleancës ushtarake, duke siguruar mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj cilitdo anëtar të organizatës.

Mbrojtja kolektive është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s, kur SHBA-ja kërkoi mbështetje nga aleatët e saj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në vitin 2001.

Liderët e NATO-s mblidhen në Bruksel për takimin e tyre të parë personal që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Ata do të diskutojnë marrëdhëniet me Rusinë, Kinën si dhe Axhendën 2030 të NATO-s që synon të rrisë qëndrueshmërinë e organizatës dhe ta përgatisë atë për sfida të reja, përfshirë ndryshimin e klimës.