Biden emëron një amerikane autoktone në krye të Departamentit të Brendshëm

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bëri një zgjedhje tjetër historike për kabinetin e tij, me emërimin e një amerikaneje autoktone për udhëheqjen e Departamentit të Brendshëm.

Deb Haaland do të jetë në krye të agjencisë që mbikëqyr tokat publike të vendit, tha ekipi i tranzicionit i Bidenit.

Nëse Haaland, e cila i përket fisit Laguna Pueblo dhe është përfaqësuese në Kongres, konfirmohet, ajo do të jetë amerikania e parë vendase që mban një post të kabinetit kombëtar.

“Një zë si i imi nuk ka qenë kurrë sekretar i kabinetit ose në krye të Departamentit të Brendshëm”, tha Haaland në Twitter.

Biden po ashtu emëroi Michael Reganin, afrikano-amerikan, për administrator të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.

Ditë më parë, ish-kandidati demokrat për president, Pete Buttigieg, u emërua për sekretar të Transportit.
Pete Buttigieg

Nëse konfirmohet, ai do të bëjë histori si sekretari i parë që deklarohet hapur se është homoseksual.

Të gjitha nominimet duhet të miratohen nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i zgjedhur, Biden, inaugurohet më 20 janar.