Gjetjet kryesore nga raporti i BAR HUMAN RIGHTS COMMITTEE OF ENGLAND & WALES, e cila është organizatë shumë e njohur në botë për të drejtat e njeriut, raport i bazuar ekskluzivisht në Gjykatën Speciale në Hagë, janë shumë shqetësuese.
Në këtë raport evidentohen parregullsi të shumta në procedurë dhe ngritet alarm serioz për shkeljen e të drejtave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë.
Lexo edhe:
Albulena Haxhiu shpall datë zyrtare 7 qershorin për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë
Këto janë disa nga gjetjet kryesore nga organizata BAR HUMAN RIGHTS COMMITTEE OF ENGLAND & WALES lidhur me gjyqin e madh ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
1. Raporti konstaton se ekzistojnë probleme reale me standardet e gjykimit të drejtë në Gjykatën Speciale në Hagë
Në këtë raport janë identifikuar shqetësime të dokumentuara për të drejtat e njeriut. Këto shqetësime janë mjaft serioze saqë nuk mund të injorohen. Aty thuhet qartë që rreziku është i madh që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet e ECHR/ICCPR.
2. Paraburgimi i gjatë dhe mungesa reale e lirimit
Ligjërisht sistemi në Dhomat e Specializuara duket korrekt, por në praktikë lirimi i përkohshëm është shumë i kufizuar. Sipas raportit, kjo krijon rrezik për shkelje të së drejtës për liri. Po ashtu, sipas raportit, struktura e gjykatës e bën lirimin pothuajse të pamundur.
3. Dyshime për barazi të palëve (prokuroria vs mbrojtja)
Raporti konstaton se ekzistojnë kushte që mund të dëmtojnë “equality of arms”, si presioni mbi mbrojtjen dhe roli i zgjeruar i gjyqtarëve në pyetjet e tyre. Këto krijojnë mundësinë që mbrojtja të mos jetë në pozicion të barabartë.
4. Probleme serioze me provat dhe transparencën
Po ashtu, raporti konstaton se ekziston rreziku i përdorimit të provave me vlerë të dobët ose të paverifikuara (p.sh. nga Serbia). Sipas tij, mungon transparenca për burimin e disa provave. Nëse provat nuk janë të fuqishme, në raport thuhet se rrezikohet legjitimiteti i vendimeve.
5. Strukturë problematike e Gjykatës Speciale
Gjykata përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Mungesa e ekspertizës vendore kushtetuese ngre pikëpyetje për legjitimitetin dhe kuptimin e ligjit kosovar.
6. Probleme me parimin e ligjshmërisë (legality)
Raporti, po ashtu, konstaton se ka paqartësi në aplikimin e ligjit në kohë (lex mitior) dhe në raportin mes ligjit ndërkombëtar dhe atij kosovar, gjë që krijon rrezik për interpretime të diskutueshme ligjore.
7. Mungesë transparence dhe llogaridhënieje
Disa procese dhe vendime në Gjykatën Speciale nuk janë publike ose nuk janë të qarta për palët. Ka shqetësime për komunikime jo transparente (p.sh. raportime diplomatike).
8. Nevojë urgjente për monitorim të pavarur
Raporti konstaton domosdoshmërinë e krijimit të një mekanizmi të vazhdueshëm dhe të pavarur monitorimi të Gjykatës Speciale, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe sigurimin e standardeve të drejta.
Thelbi i këtij raportit është se Gjykata Speciale ka bazë ligjore, por mënyra si po funksionon në praktikë ngre shqetësime serioze për drejtësi, barazi dhe legjitimitet. Nëse këto probleme nuk adresohen, rrezikohet jo vetëm drejtësia për të akuzuarit, por edhe besimi publik dhe stabiliteti në rajon.
© SYRI.net



