BGNEWS: Kremlini zyrtarisht nxit Serbinë kundër fqinjëve të saj

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka përsëritur narrativat e promovuara nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Sipas saj, autoritetet në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci po hyjnë në fazën praktike të formimit të një blloku ushtarak supra-rajonal. Ky aleancim, tha Zakharova sot, sipas agjencisë BGNES, parashikon forcimin e kapaciteteve ushtarake, blerjet e përbashkëta të armëve dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Ky pretendim ka qarkulluar për një vit nga vetë presidenti serb Vuçiq, ndërsa mediat nën kontrollin e regjimit në Beograd herë pas here përfshijnë edhe Bullgarinë në “këtë aleancë antiserbe”.

“Dua të rikujtoj se një vit më parë Zagrebi, Tirana dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak në fushën e sigurisë. Gjatë kësaj periudhe është miratuar një paketë e gjerë masash për formimin e një blloku subrajonal, dhe tani po nis faza praktike”, deklaroi Zakharova, raporton agjencia bullgare e lajmeve BGNEWS, transmeton Klankosova.tv.

Sipas saj, drejtimi kryesor i këtij bashkëpunimi është forcimi i kapaciteteve ushtarake dhe zhvillimi i aftësive mbrojtëse.

“Pjesëmarrësit e kësaj trios planifikojnë të rrisin bashkëpunimin operacional mes ushtrive të tyre, të blejnë së bashku armë, dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore, mjete kundërtanke e shumë të tjera. Ata synojnë gjithashtu të krijojnë kapacitete të veta ushtarako-industriale”, tha ajo, duke shtuar: “Theksi është në ringritjen e kompleksit ushtarako-industrial shqiptar dhe prodhimin e automjeteve të blinduara, predhave të artilerisë dhe armatimeve të tjera”.

“Vëmendje e veçantë po i kushtohet luftimit të të ashtuquajturit ndikim të dëmshëm të vendeve të treta, nga të cilat supozohet të vijnë rreziqe, përfshirë kërcënimet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike. Njëkohësisht, po punohet në militarizimin e Prishtinës dhe integrimin e këtij entiteti të vetëshpallur në mekanizmat e NATO-s dhe iniciativat rajonale”, tha Zakharova, duke theksuar: “Veprime të tilla shkelin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo nuk është vetëm përsëritje e një mantre, por ka edhe anën praktike të çështjes”.

BGNEWS raporton se “kërcënimi nga ky aleancim” po promovohet personalisht nga presidenti serb Vuçiq, dhe mediat e kontrolluara nga regjimi i tij në Beograd shpesh i shtojnë edhe Bullgarinë “kësaj aleance antiserbe”.

Mediumi bullgar tha se menjëherë pas deklaratës së Zakharovës, ajo u shpërnda nga mediat proqeveritare serbe.

Një reporter i BGNES kujton se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes më 18 mars 2025 në Tiranë. Nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarake, por për një deklaratë trilaterale bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet tre vendeve: Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e mbrojtjes të tre shteteve gjatë këtij takimi në Tiranë.

Deklarata parashikon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse me synimin për të rritur aftësitë ushtarake të secilit vend përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, krijimin e kushteve për reagim më efektiv ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe rajonale, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjive të përbashkëta.

Ajo parashikon gjithashtu ushtrime të përbashkëta ushtarake, shkëmbim përvojash, trajnime dhe edukim të personelit, rritje të ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe bashkëpunim në adresimin e kërcënimeve hibride. Tre vendet shkëmbejnë informacione për sulme kibernetike, dezinformata dhe kërcënime të tjera që mund të ndikojnë në siguri, dhe koordinojnë veprimet në situata që nuk janë domosdoshmërisht ushtarake, por që prekin stabilitetin.

Deklarata shpreh synimin e përbashkët për integrim më të ngushtë në institucionet euroatlantike, përfshirë NATO, si dhe përkrahjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programe si Partneriteti për Paqe, që do të forconte lidhjet e saj me Aleancën. /Klankosova.tv