BFI-ja si satelit më vete

Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI vite më parë ka nënvizuar që, reformat shpëtimtare të këtij
Institucioni do të zhvillohen vetëm kur shteti do të dalë jashtë BFI-së. Pra, nuk bëhet fjalë për daljen e
BFI-së nga kontrolli dhe përgjegjësia para organeve gjegjëse të shtetit, por, për ikjen e vetë shtetit nga
BFI-ja
Shkruan Afrim Tahiri

Dikush në vend, me të madhe është duke punar që Bashkësia Fetare Islame të bëhet ndonjë sektor i
parëndësishëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shtetit. Manipulimi me fenë dhe keqpërdorimi i
fesë është mjeti më i mirë që mundëson masa të jashtëzakonshme dhe dislokim institucional të disa
digastereve të rëndësishme të shtetit nën komandën e MPB-së, brenda institucionit fetar, themeluar për
organizimin e jetës fetare institucionale! Dikush po përpiqet që ta përpushë prushin dhe ta ndezë e t’i
shkojë flaka në hava!

Shteti brenda BFI-se i domosdoshëm por jo për zhvatje e shantazh
Problemet fetare, sikundër ato politike, duhet të izolohen dhe të lokalizohen vetëm në kufijtë e
Ballkanit! Pa i radikalizuar myslimanët dhe pa e prishur harmoninë ndërkonfesionale tek shqiptarët,
problemi fetar nuk mund të lokalizohet në Ballkan. Prandaj, shërbime të ndryshme intelegjente, nga më
bashkëkohoret e deri te recidivat e UDB-së, kanë zbritur në Ballkan dhe po mundojnë të gjejnë një shtrat
për destabilizimin e mundshëm ndërfetar! Ky synim djallëzor e ka të vështirë që të realizohet derisa
shiptarët do të jenë syçelë në ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe përderisa nuk do të bëhen palë e këtyre
elementeve të huaj që nuk ia duan të mirën, mbi të gjitha, shqiptarëve!
Shteti i Maqedonisë së Veriut, duhet të refuzojë po aq sa shqiparët dhe myslimanët e devotshëm,
skenaret e huaja që parashohin funksionimin e një shteti multifetar me myslimanë të destabilizuar, me
derdhje të shumë energjive në përpjekje për t’i kontrolluar dhe destabilizuar organet fetare të
myslimanëve të këtushëm. Sepse, kjo pastaj do të duket si fillimi i një jete të re për një trup me plagë që
do të kullojnë përjetësisht. Cili trup do të rritej e zhvillohej paqtë e qetë me një plagë të tillë?
Opozita e kësaj BFI-je të kapur e të kontrolluar tash e sa kohë nga shteti (Lëvizja Myslimane për
Reforma) duhet që të nisë me sa më shumë debate e konferenca publike, t’i shtojë dhe t’i intensifikojë
takimet me ndërkombëtarët, me faktorët relevant të vendit dhe, sa më qartë ta zbërthejë tërë këtë lojë
të pandershme.
Roli i Shtetit aktual (pra, pushtetit) është i dyfishtë: e para, që ta kontrollojë sa më thellë BFI-në dhe ta
destabilizojë deri në themele, prej nga pastaj do të arrihej synimi i nxjerrjes së shqiptarëve si fetarë të
parehatshëm, ekstremistë, radikalistë e terroristë të cilët duhet të shkatërrohen deri në farën e fundit,
duke i justifikuar të gjitha masat, metodat dhe mjetet për “qetësimin” e këtij komuniteti dhe, e dyta, më
pak e hetushme por po aq e rrezikshme sa e para: t’i dëmtojë maksimalisht burimet financiare të

Institucionit, sidomos duke ia zhvatur vakëfin, pëmes kyçjes së bashkëpunëtorëve të tyre në kierarkinë
udhëheqëse të Institucionit të BFI-së!
BFI-ja nuk është satelit më vete që sillet e lëvizë në hapësirën e kosmosit si t’i dojë qejfi asaj! BFI-ja është
Institucion që funksionon në kuadër të një shteti, i cili ka ligje, ka akte normative para të cilëve
nënshtrohen gjithkush e gjithçka! Shteti brenda BFI-së është i domosdoshëm, është i patjetërsueshëm, i
detyrueshëm me qëllim që të ruhet pesha, funksioni, roli i këtij Institucioni në funksion të mirëqenies,
paqes dhe harmonisë ndërkonfesionale. Shteti nuk duhet ta kundrojë BFI-në vetëm si vend potencial për
lulzim të korrupsionit, kriminaltetit, ekstremizmit, bashkëpunimit me shërbime intelegjente, si vend
ideal për zhvatje! Shteti nuk duhet të jetë në BFI vetëm sa për të konstatuar se paskan ndodhur një mori
dukurishë antiligjore dhe sa për të qarë pastaj hall me ndërkombëtarët se me çfarë “mileti” jemi duke
bashkëjetuar! Një BFI e detsabilizuar është pasqyrë e shtetit të korruptuar deri në palcë! Shteti në BFI
duhet të jetë garanca më e fuqishme se aty nuk do të tolerohet asnjë hap që nuk është në përputhje me
Kushtetutën dhe me aktet normative të BFI-së, sepse që të gjitha janë të deponuara në organet e
drejtësisë për të dëshmuar se janë në harmoni me aktet normative dhe me Kushtetutën e Shtetit. Çdo
devijim i të gjitha strukturave të BFI-së nga aktet e veta normative praktikisht duhet të trajtohen si
shkelje e akteve normative të Shtetit! Ky duhet të jetë misioni i shtetit brenda organizatave fetare dhe jo
vetëm konstatimi institucioal i problemeve dhe distancimi prej tyre, duke manipuluar me “konstatimin”
se, shteti duhet të jetë larg “komuniteteve fetare” si institucione!

Shteti në raport me BFI-në dikur dhe sot
Edhe në kohërat më barbare për myslimanët e vendit, ka qenë më mirë për sa i përket raportit shtet-
pushtet-institucion fetar!
Le ta marrim për shembull, periudhën e Mbretërisë SKS, konkretisht, më 8 dhjetor të vitit1923 formohet
Minstria për fe dhe, praktikisht, ingerencat që i ushtronte Ministria e drejtësisë mbi fetë e asaj kohe, do
t’i kalojnë Ministrisë për fe, e cila, konkretisht, për organizimin e jetës fetare islame do t’i kishte këto
kompetenca:
1. Miratimin e vendimit për zgjedhjen e reisul-ulemasë, Ulema mexhlisin, muftinjtë, personelin dhe
arsimtarët e shkollave të dejtësisë-sheratit dhe të gjimnazeve të sheriatit.
(Me këtë akt, praktikisht mposhtej çdo përpjekje për nepotizëm, për amatorizëm, për korrupsion dhe
për zgjedhje të organeve të Institucionit dhe organeve fetare kujt si t’i teket, jashtë ligjeve të kohës!)
2. Miratim dhe lejim të konkluzioneve nga këshilli i vakëfit-mearifit mbi ndryshimin e rregullave dhe
mbi ato ekzistueset për sa i përket disiplinës dhe pensionimit të nëpunësve të vakëfit-mearifit.
(Pra, nuk guxon që të funksionojë një Institucion ku shkilen natë e ditë parimet, rregullat dhe disiplina, si
dhe nuk mund të ketë në një institucion fetar nëpunës të përjetshëm!)
3. Miratim dhe lejim të konkluzivoneve të Kuvendit të Vakëfit-Mearifit, mbi nivelin e arsimimit fetar
dhe ngritjes së shkollave, institucioneve arsimore si dhe të enteve humanitare, si dhe planin arsimor
për mësimet fetare për shkollat e vakëfit-mearifit.

(Në BFI-në aktuale janë të tmerrshme, deri diku edhe antifetare dhe antikombëtare, politikat arsimore
të cilat, fatkeqësisht, kanë ngelur në duart e diletantëve dhe sharllatanëve të cilët nuk i njohin
perspektivat ndërsa të sotmen nuk e kanë të qartë.)
4. Miratimi dhe lejimi i vendimeve për të themeluar vakëf të ri!
(Pra, nuk bëhet fjalë për tëhuajësim, as për shitje, as për falje e as korrupsion për disa organe të shtetit.
Thjesht, lejohen vetëm ato vendime që e shtojnë vakëfin! Çka po ndodh me vakëfin e BFI-së në ditët e
sotme kur shteti zgjohet dhe futet në Institucion vetëm kur është në pyetje zhvatja e vakëfit! A di dikush
të na shpjegojë se çka po ndodhë në vakëfin, oborrin e dikurshëm të “Komunalecit”?
5. Anulimi i të gjitha atyre vendimeve autonome të pushtetit qendror fetar që janë në kundërshtim
me ligjet shtetërore.
(Shteti i Maqedonisë së Veriut, e ka pranuar dhe e ka verifikuar Kushtetutën e BFI-së dhe ka konkluduar
se ajo është konform Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit! Të vepruarit jashtë Kushtetutës së BFI-së dhe
shkelja e shumë akteve normative të këtij Institucioni, a nuk është shkelje edhe të atyre akteve
normative shtetërore me të cilat është e harmonizuar Kushtetuta e BFI-së?!)

Për shërbimet intelegjente: Shaqir Fetai nuk është zgjidhje por problem i BFI-së
Shaqir Fetai, i cili në çdo sekond të ditës është duke e shkelur Kushtetutën e BFI-së, a nuk është kjo
përkrahje dhe mbështetje nga shteti, nga oganet përkatëse shtetërore të Maqedonisë së Veriut? Janë
me dhejtra shkelje drastike që Shaqir Fetai i ka bërë krye më vete, i mbështetur nga ata organe
shtetërore të cilat me dy këmbë janë të zhytur në korrupsion e zhvatje të BFI-së.
Myslimanëve të vendit nuk u duhen “organe fetare” të kapur apo lojalistë, të kriminalizuar apo të
shatazhuar nga shteti. Myslimanët e Maqedonisë së Veriut me këtë qëndrim anti-Shaqir Fetai vetëm sa
po dëshmojnë se janë digë e fuqishme që do ta pengojnë rrjedhën e lojës së shtetit në drejtim të
shkatërrimit të BFI-së dhe të paraqitjes së tyre si element destabiziolues dhe anticivilizues.
Shaqir Fetai nuk është zgjidhje! Shaqir Fetai është problem i BFI-së! Ai është bashkëpjesëmarrës në
kriminalizimin e BFI-së, ai është miratues i të gjitha vendimeve në BFI që mund t’i gëzojnë vetëm
shërbmet intelegjente të huaja. Shaqir Fetai mund të jetë i përgëdheluri i shtetit, por kurrë i dashuri i
popullit, madje aq më pak si “Shqiponjë”!
(Autori është dretjues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)