Bexheti reagon: Absurde të quhet “skandal” kompania ligjore e fëmijëve të mi madhorë

Deputeti i BDI-së Blerim Bexheti ka reaguar ndaj, siç i quan ai, sulmeve mediatike dhe politike lidhur me themelimin e një kompanie nga fëmijët e tij madhorë, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe senzacionaliste, transmeton Zyrtare.net

Bexheti thekson se kompania në fjalë është hapur në mënyrë tërësisht ligjore dhe transparente përmes Regjistrit Qendror, duke shtuar se ajo nuk ka fituar asnjë tender, nuk ka lidhur asnjë kontratë dhe nuk ka nisur asnjë aktivitet biznesi. Sipas tij, krijimi i një “historie dramatike” rreth kësaj kompanie është tentativë për shtrembërim të realitetit dhe njollosje të tij dhe familjes së tij.

“Po tentohet të paraqitet si skandal fakti që të rinjtë përpiqen të bëhen sipërmarrës, në vend që të punësohen në institucione publike përmes partive,” shprehet Bexheti, duke ironizuar logjikën sipas së cilës çdo i ri që hap kompani etiketohet automatikisht si “ndërtues pallatesh”.

Ai sqaron se akuza e vetme ndaj tij lidhet me mosparaqitjen, me vonesë prej tre muajsh, të themelimit të kompanisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Sipas interpretimit të tij të ligjit, duke qenë se fëmijët e tij jetojnë ndaras, nuk ka ekzistuar obligim për deklarim, por shton se nëse KSHPK vlerëson ndryshe, ai është i gatshëm ta paraqesë.

Në reagimin e tij, Bexheti bën krahasime me atë që i quan skandale reale, duke përmendur tenderë milionësh të ndarë kompanive me pak të punësuar dhe kontrata të mëdha shtetërore që, sipas tij, kanë përfunduar te persona të afërt me elitat politike.

“Kur nuk kanë argumente kundër meje, fillojnë t’i sulmojnë fëmijët e mi. Kjo flet më shumë për ta sesa për mua,” thekson ai, duke shtuar se mbetet konsekuent në qëndrimin që institucionet të bëjnë punën e tyre dhe ligji të vlejë njësoj për të gjithë.

Bexheti përfundon se, sipas tij, senzacionet e montuara do të mbeten vetëm në nivel spekulimesh dhe senzacionalizmi të lirë.

Gjatë ditës Radio Evropa e Lirë publikoi lajmin se dy fëmijët e deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti, kanë themeluar një kompani me veprimtari ndërtimore./ZYRTARE.net