Deputetët që fituan mandatet gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas rendit të ditës, në këtë seancë pritet të zgjidhen organet e reja të Kuvendit, kryetari, pesë nënkryetarët dhe të caktohen grupet parlamentare. Seancën po e drejton deputeti më i vjetër, Jahja Kokaj, së bashku me deputeten më të re, Fjolla Ujkani.
Raporti i komisionit verifikues për mandate është votuar në Kuvendin e Kosovës me 110 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në seancën e sotme janë betuar edhe 110 deputetë të legjislaturës së shtatë.
Kryesuesja e komisionit verifikues për mandate, Albulena Haxhiu tha se sot në seancë janë 111 deputetë, e të tjerë të cilët nuk janë në sallë, mbetet që në seancën e ardhshme të betohen.
“Janë 111 deputetë, dhe mungojnë Uran Ismajli, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Kujtim Gashi, të cilët në seancën e radhës duhet të japin betimin. Andaj seanca konstituive mund t’i vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë dhe rregullave të procedurës”, tha ajo.