Besmir Lushaj: Tuxhmani, komunisti që e bashkoi kombin kroat dhe Ramiz Alia, komunisti që e përçau kombin shqiptar

Franjo Tuxhmani, komunisti që e bashkoi kombin kroat dhe Ramiz Alia, komunisti që e përçau kombin shqiptar
Franjo Tuxhmani gjatë Luftës së Dytë Botnore ishte partizan nën komandën e Titos dhe luftoi kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, bashkëatdhetarëve kroatë të rreshtuar me ustashët.
Ai mori gradën e gjeneralit gjatë regjimit jugosllav, por kuptoi se komunizmi nuk e përmbushte aspiratën e shtetit kombëtar kroat.
U burgos gjatë Pranverës Kroate më 1972 dhe në vitin 1981, pasi shprehu hapur synimin për shtetin kombëtar kroat.
Disidencën e tij e vijoi edhe si autor librash dhe në intervista për mediat e huaja.
Kur populli kroat e zgjodhi president, ai ndërnori një kthesë pothuajse të pabesueshme në interes të shtet-kombit kroat.
Ai pothuajse i rehabilitoi ustashët kroatë, vetë Ante Paveliçin…
Ustashët kroatë në Luftën e Dytë Botnore kryen krime të cilat i lanë pa fjalë edhe vetë nazistët, të cilët e dëshmojnë këtë në dokumentet e tyre.
Ustashët vranë mijëra serbë, hebrenj, komunistë kroatë, romë dhe pakica të tjera. Atyre u atribuohet edhe ndërtimi i kampit të shfarosjes të Jasenovacit, në të cilin u vranë së paku 30 mijë njerëz.
Mirëpo Tuxhmani nisi një fushatë ku theksohej se shifrat e krimeve të ustashëve ishin fryrë dhe se krijimi i shtetit kombëtar kroat nga ana e tyre ishte e drejtë legjitime e kroatëve.
Tuxhmani rivendosi simbolikat ustashe në flamurin kroat, riktheu edhe monedhën e ustashëve si monedhën e Kroacisë.
Tuxhmani shkoi deri aty sa të propozonte edhe bashkimin e eshtrave të partizanëve dhe ustashëve kroatë në një varrezë të përbashkët.
Ai e arsyetoi këtë nismë me nevojën e pajtimit kombëtar.
Si president i Kroacisë, Tuxhmani u përpoq me të gjitha format edhe të pengonte ekstradimin e drejtuesve të kampit të Jasenovacit që kishin emigruar në Amerikën Latine.
Kjo fushatë pati ndikim të madh në rritjen e frymës kombëtare dhe mobilizimin e kroatëve në luftën ndaj Serbisë.
Mjafton vetëm të kujtohet fakti se kroatët në betejën e Vukovarit në vitin 1991 e mbrojtën qytetin me 3 mijë trupa, ndërsa në sulmin ndaj forcave serbe në Knin në vitin 1995, armata kroate mobilizoi 130 mijë trupa.
Po Ramiz Alia pse nuk e ndoqi shembullin e Franjo Tuxhmanit?
Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva apo Bedri Pejani ishin fludka në krahasim me ustashët në raport të bashkëpunimit me nazistët.
Pse Ramiz Alia e mbajti ndezur frymën e ndasisë dhe përçarjes mes komunizmit dhe nacionalizmit shqiptar në kohën kur regjimit i kishte marrë fund, ndërsa Kosovës i nevojitej shteti amë si oksigjeni organizmit njerëzor?
Në një mbledhje të Byrosë Politike në korrik të vitit 1990, Ramiz Alia do të shprehej se nuk duhej lejuar kthimi në Shqipni i profesor Rexhep Krasniqit, pasi ai luftonte për Shqipninë Etnike, dhe komunistët shqiptarë nuk mund të sakrifikonin idealet e tyre për këtë ide.
Krimi që kishte kryer profesor Rexhep Krasniqi (djali i birësuar i Bajram Currit) ishte hapja e dhjetëra shkollave shqipe në trojet etnike gjatë Luftës së Dytë Botnore.
Mirëpo Ramiz Alia me shokë kishin ideale të tjera para Shqipnisë Etnike.
Së fundmi akademik Ali Aliu solli në kujtesë një bisedë të tij me Ramiz Alinë në fillimet e viteve ’90, kur i tha këtij të fundit se Kosova nuk mund të çlirohej pa luftë, ndërsa Alia i ishte përgjigjur: “Mos na ngushtoni”.
Pse Ramiz Alisë i duhej të mbante gjallë urrejtjen e komunistëve shqiptarë për nacionalistët e Kosovës, të cilët e kryen bashkimin kombëtar ashtu si ustashët kroatë, por kurrsesi me metodat e tyre?
Pse Ramiz Alisë dhe kastës së tij i nevojitej mbajtja gjallë e urrejtjes për Mit’hat Frashërin e dënuar me vdekje nga Serbia e Krajlëve, dhe ajo e Rankoviçit?
A ishte kjo frymë ndasie dhe përçarje e cila e projektoi UÇK-në shumë larg projeksionit të Armatës Kroate?
UÇK-ja mezi i arriti 17 mijë luftëtarë, ndërsa pjesën dërrmuese të armëve nga Shqipnia i bleu me para.
Duhet të shtrohen një varg pyetjesh, por dy ma thelbsoret mbeten:
Pse komunistët shqiptarë nuk e morën dhe nuk e marrin as sot e kësaj dite nismën e pajtimit kombëtar njësoj si kroatët, me në krye partizanin dhe komunistin Franjo Tuxhman?
Kujt i shërben ma shumë se Beogradit vazhdimi i kësaj përçarjeje mes shqiptarëve?

*Status facebooku i zoti Besmir Lushaj