Besëlidhja AKI – një emër që flet për humbjen e orientimit politik

Shkruan:Florian Nesimi

Se opozita e ka humbur orientimin dhe nuk i njeh as konceptet politike e tregon edhe fakti që ata assesi nuk mund të gjejnë një emër adekuat për koalicionin e tyre. Nga “Fronti Evropian”, në “Kombëtar”, e në fund përfunduan me një kombinim të fjalëve: “Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim”.

Ky emër nuk është aspak i qartë dhe flet për mungesë elementare të njohjes së koncepteve politike. Në një emër nuk mund të qëndrojnë bashkë fjalët “Besëlidhja” dhe “Aleanca”, sepse janë sinonime që e kanë të njëjtin kuptim. Po aq e pakuptimtë është bashkëvendosja e fjalëve “Kombëtare” dhe “Integrim”. Nëse mendohet në integrimin e jashtëm ku synohet anëtarësimi në BE, hapja e kufijve dhe bashkimi me një hapësirë të përbashkët evropiane e zbeh krejtësisht nocionin “kombëtar”. E nëse mendohet në integrimin e brendshëm që nënkupton afrimin e popujve, edhe me këtë rast fjala “kombëtar” është e paarsyeshme të përdoret në të njëjtën fjali.

Para se ta shpallnin publikisht këtë emër, do të ishte minimale që ta shpjegonin vetë se çfarë kuptimi ka. Jam i bindur se, po t’i pyesësh, as vetë nuk do dinin ta zbërthejnë.