Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besart Durmishi, ka bërë të ditur sot se stafi i tij do të zgjerohet me një emër të njohur në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të sektorit privat. Drilon Iseni është emëruar Këshilltar Ekonomik në kabinetin ministror.
Durmishi vlerësoi lartë eksperiencën dhe aftësitë e Isenit, duke theksuar se ai sjell me vete një bagazh të pasur profesional në menaxhim ekzekutiv, çështje ligjore dhe politika ekonomike. Gjatë karrierës së tij, Iseni ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv në OEMVP dhe ka qenë pjesë e projekteve të rëndësishme kombëtare dhe rajonale për zhvillimin e sektorit privat, ku ka udhëhequr reforma institucionale dhe ka kontribuar në nisma kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Me përvojën dhe aftësinë e tij, synojmë të ndërtojmë politika efektive, të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të nxisim rritjen e qëndrueshme ekonomike në vend. Të rinjtë janë e ardhmja dhe me këtë frymë po e forcojmë ekipin tonë”, deklaroi ministri Durmishi.
Ky emërim shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të politikave ekonomike më efikase dhe mbështetjes së sipërmarrjes vendore.