“BESA” nuk merr pjesë në protestën e VMRO-së që mbahet nesër (Video)

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faruk Avdiu, ka lënë të kuptohet se partia që përfaqëson ai, nuk do të merr pjesë në protestën anti-qeveritare të VMRO-DPMNE-së që pritet të mbahet nesër. Ai ka thënë se protesta organizohet nga opozita maqedonase dhe jo nga ajo shqiptare.

“Sa i përket protestës së opozitës maqedonase, ajo është te kampusi politik maqedonas. Ne si parti opozitare shqiptare jemi pro protestës dhe rotacionit politik brenda qeverisë, sidomos të BDI-së duke parë dështimet të njëpasnjëshme të menaxhimit me situata të ndryshme të cilën janë duke e paguar faturën qytetarët e RMV-së. Mirëpo thashë edhe më herët ajo protestë është e kampusit politik opozitar maqedonas, nuk është e kampusit politik opozitar shqiptar”, tha zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faruk Avdiu.

D.m.th nuk do të merrni pjesë në protestën e nesërme?

“Po besoj që përgjigja është në atë elaborimin e mëhershëm që e thashë pak më parë”, u shpreh Avdiu.

I pyetur nëse opozita shqiptare mund të organizojë protesta anti-qeveritare, Avdiu tha se akoma nuk ka ndonjë vendim të tillë.

“Ekziston një komunikim goxha i mirë të një niveli shumë të lartë, partiak, opozitar mes dy subjekteve opozitare shqiptare, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët. Mirëpo ende nuk kemi arritur në atë pikë se a do të kemi qëndrim të përbashkëm për të shkuar në një protestë të përbashkët opozitare shqiptare, apo do të kemi opozita të ndara si Lëvizje Besa dhe Aleancë për Shqiptarët. Kur do të ketë ndonjë qëndrim zyrtar partiak i marrur nga organet partiake, atëherë do të ketë edhe prononcim zyrtar sa i përket këtij qëndrimi”,  tha Avdiu.