Berlini refuzon “asistin” e Putinit, propozimi për Schröder, një ofertë e rreme e Kremlinit

Qeveria gjermane ka reaguar me rezerva të forta dhe skepticizëm të hapur ndaj propozimit të fundit të Vladimir Putinit për të emëruar ish-kancelarin Gerhard Schröder si ndërmjetës në negociatat e mundshme midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Në një qëndrim zyrtar të dhënë për agjencinë e lajmeve AFP, burime qeveritare në Berlin i kanë cilësuar deklaratat e Kremlinit si pjesë të një “strategjie hibride” dhe si oferta që synojnë më shumë propagandën se sa zgjidhjen reale të konfliktit.

Sipas Berlinit zyrtar, lëvizja e Moskës për të përfshirë ish-kancelarin gjerman në procesin e paqes nuk shihet si një hap serioz drejt diplomacisë, por si një përpjekje për të manipuluar opinionin publik europian.

“Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata, të cilat janë pjesë e një serie ofertash të rreme nga Rusia,” deklaruan burimet qeveritare gjermane, duke shtuar se kjo është një pasqyrë e taktikave të vjetra të Kremlinit.

Armëpushimi, testi i parë i besueshmërisë

Për Gjermaninë, çelësi i vërtetë i negociatave nuk qëndron tek emrat e ndërmjetësve, por tek veprimet konkrete në terren. Burimet bënë të ditur se vullneti i mirë i Rusisë do të testohet vetëm përmes respektimit të qëndrueshëm të luftimeve.

“Një provë e parë e besueshmërisë do të ishte nëse Rusia do ta zgjaste armëpushimin,” nënvizuan përfaqësuesit e ekzekutivit gjerman, duke lënë të kuptohet se pa këtë hap, çdo propozim tjetër mbetet i pavlefshëm.

Heshtje nga zyra e Schröder

Nga ana tjetër, ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili shpesh është kritikuar për lidhjet e tij të ngushta me Vladimir Putinin dhe angazhimin në bordet e kompanive energjetike ruse, ka zgjedhur të mos komentojë.

Zyra e tij informoi agjencinë gjermane të lajmeve DPA se Schröder nuk do të japë asnjë deklaratë lidhur me propozimin e Putinit për ta parë atë si urë lidhëse në konfliktin Ukrainë-Rusi.

/rtsh.al/