Berisha shkon në burg ta takojë Salianjin, paralajmëron moslargim në rast humbjeje

Që kur fitoi lirinë në fund të nëntorit, Sali Berisha pothuajse nuk është larguar as edhe një ditë nga Tirana, duke qenë më i fokusuar në zyrën e tij në selinë e PD-së.

Ndryshe e gjeti kjo e enjte, me një ndalesë në burgun e Fierit, për një takim me ish-deputetin Ervin Salianji, ku vuan dënimin prej fundit të shtatorit për dosjen e njohur si “Babale”.

“Vendosmëria e tij në këtë betejë është e plotë. Biseduam për vazhdimin e betejës sonë. Çështja Salianji është çështje ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.

Ai më parë është shprehur se dosja e Salianjit do të shkojë në Hagë, ndërsa për drejtësinë shqiptare ai përsërit vetëm akuza, madje e sheh atë dhe si bllokuese e rotacionit politik.

“Drejtësia është një mashë në duart e narkot-diktaturës. Ka një drejtësi që me qëndrimet ndaj krimit elektoral është palë në bllokimin e rotacionit, degë e ekzekutivit”, deklaroi Berisha

Bashkë me akuzën, ai duket se po jep një paralajmërim se nuk do të largohet edhe në rast se humbet zgjedhjet më 11 maj dhe PD-në do e lerë për 4 vite të tjera në opozitë përball mazhorancës socialiste që qeverisë vendin prej 2013-ës.

“Përmbysja e dikaturës është misioni për të cilin unë zotohem deri në orën e fundit të jetës sime. PD ka marrë misionin e ri, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri, që është diktaturë e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”.

Ky mund të jetë një argument që do përmendet pas zgjedhjeve pavarësisht se vetë Berisha në ndryshimet e rikthimit në statut e ka të sanksionuar largimin në rast se humbet zgjedhjet parlamentare. / abcnews.al