Sot po zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje, marrin pjesë edhe deputetët e Komisionit të Rithemelimit edhe pse nuk janë lajmëruar.
Atje ka mbërritur edhe Sali Berisha, i cili rikthehet pas 6 muajsh në mbledhje grupi. Ai nuk ka pasur një prononcim për mediat gjatë hyrjes në selinë e PD-së.
Po ashtu kanë mbërritur edhe deputetët Edmond Spaho, Flamur Noka, Luan Baçi, Tritan Shehu dhe Edi Paloka.
“Grupi i bashkuar është, duhet të kthehet në normalitet”, tha Edi Paloka në hyrje të selisë së Partisë Demokratike.
Kjo është mbledhja e parë e grupit parlamentar e bashkuar pas 6 muajsh që prej vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës.
Ndërkohë një ditë më parë, Berisha njoftoi se do të jetë i pari që do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit.
Reagimi i tij erdhi pasi njoftimin për mbledhjen nuk e morën 5 deputetët e përjashtuar, ish-Kryeministri Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe Luan Baçi të cilët nuk janë njoftuar nga Sekretari i grupit për mbledhjen.
Sipas Berishës, ai ka mandatin e Kuvendit të 11 Dhjetorit të konfirmuar me referendum dhe më pas me votën e zgjedhjeve të 6 marsit, shkruan tvklan.