Berisha për sulmin ndaj tij: Rama, i aftë të bëjë gjithçka për të mposhtur opozitën

Kreu i PD Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendit, u shpreh se kryeministri Edi Rama dëshmoi me sulmin ndaj tij në protestën e 6 dhjetorit, se mund të bëjë gjithçka për të tentuar të mposhti opozitën.

Ai u shpreh se me pjesëmarrjen në Parlament kërkon të dëshmojë shpirtin e pamposhtur të opozitës dhe ka siguruar Ramën se nuk mund të bëjë asgjë për të arritur qëllimet e tij.

“Flas sot me thirrjen time drejtuar qytetarëve, popullit opozitar, në këto momente që ky regjim i mbështetur në krim, drogë, në vjedhjen e qytetarëve, dëshmoi se është i aftë të bëjë gjithçka për eliminimin e opozitës së vërtetë. jam sot para jush si dëshmi e shpirtit të pamposhtur të opozitës, vendimit sublim për tu përballur dhëmbë për dhëmbë me regjimin kriminal dhe kreun e tij Rama që në traditën e etërve të tij xhelatë e mizorë, babai i tij firmoste varje në litar të kundërshtarit, dajës së tij që urdhëronte varrosjen e gjallë të kundërshtarëve politikë, jam këtu për t’i thënë : Je i pashpresë. Me asgjë nuk do arrish të mposhtët opozitën. Në aktin më korruptiv ke arritur të blesh e shesësh deklarata deputetë, kryetarë opozite e të tjerë, por kjo ka marrë fund”, tha Berisha.