Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha edhe një prononcim për mediet, nga ku hodhi akuza në drejtim në kreut të SPAK Altin Dumani. Sipas Berishës, ai përdori detyrën për interesa personale.
“Altin Dumani po bërtiste sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin. Ky kriminel kushtetues përdori detyrën, besimin dhe ligjin për të bërë pazare për interesa personale”, tha Berisha.
Berisha tha se mandati i Dumanit skadon në dhjetor dhe se ai do të largohet “si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin”.
“Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi. Dhe ai do përballet me ligjin. E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë, se mandati i tij mbaron, dhe kjo nuk ka komente”, tha Berisha.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.