Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, u shpreh se nëse kryeministri Edi Rama nuk jep dorëheqjen pas publikimeve të regjistrimeve nga antimafia italiane, Partia Demokratike do të bëjë padi në SPAK dhe do të shqyrtojë mundësinë për një padi edhe në gjykatë ndërkombëtare.
Berisha theksoi se takimi i përfolur është tashmë i provuar dhe i dokumentuar, duke e konsideruar atë si një çështje me rëndësi madhore për transparencën ndaj qytetarëve shqiptarë, rajonit dhe Evropës. Ai falënderoi gazetarët dhe autoritetet italiane për publikimin e materialeve, të cilat sipas tij, nuk mund të mohohen më.
Fjala e tij:
Ju falënderoj për sugjerimin.
Ju garantoj se, veprimet tona do të jenë të shumëfishta dhe të shumëllojta, për këtë takim që tashmë nuk e mohon dot kush. Tashmë është i stamposur në regjistrimet e antimafias italiane dhe unë e falënderoj shumë.
Nëqoftëse gazetari i ka publikuar ato, do të thotë se antimafia ja ka dhënë, nuk ja ka rrëmbyer nuk ja ka vjedhë.
Ata kanë bërë një shërbim të madh. Ai do jetë vetëm një akt.
Por akt tjetër nëse Rama nuk jep dorëheqjen, do të jetë një padi në SPAK, por do shohim tani ligjet ndërkombëtare, me shpalljen e karteleve si organizata terroriste, nëse mund të bëhet padi edhe në gjykatë ndërkombëtare.
Për ne ky takim është detyrim madhor, para çdo shqiptari, qytetarëve të rajoni dhe Europës për të bërë transparencë të plotë.
Shqipëria ka një kryeministër dhe ministra, të cilët udhëtojnë me çarter 13 mijë milje për të takuar bosë shqiptarë dhe latinoamerikanë të drogës.
© SYRI.net