Berisha: Ndalimi im në kundërshtim me kushtetutën

“AKUZAT JANË POLITIKE, RAMA NUK E NDAL DOT OPOZITËN”

Rreth orës 23 të së shtunës, drejtori kundër krimit ekonomik në policinë e shtetit, Gentrian Ndoji i shoqeruar nga një oficer, ngjitën shkallët e selisë së PD për t’i komunikuar Sali Berishës masën “detyrim paraqitje” të vënë nga Gjykata e Posaçme dhe bllokimin e pasaportës. Qendruan aty per rreth 60 minuta, por pa mundur tia komunikojnë vendimin e gjykatës, ish- kryeministrit i cili nuk i priti.

Vetë Berisha tha se nuk i takoi pasi veprimet e policisë dhe të SPAK-ut janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ky ishte një akt i turpshëm i Edi Ramës i cili i urdhëron si mercenarë të shkelmojnë Kushtetutën. Ka një nen, neni 73 pika 2, që qartëson në mënyrë të kristaltë çdo veprim, pra deputetit nuk mund ti kufizohet liria në asnjë lloj forme pa vendim të parlamentit”, tha Sali Berisha.

Këtë nen të kushtetutës e sqaroi më herët edhe Oerd Bylykbashi sipas të cilit për të caktuar një masë sigurie ndaj një deputeti duhet që më parë të japë autorizim Kuvendi.

Berisha tha se akuzat ndaj tij janë një sulm politik pas të cilit qëndron kryeministri Rama për shkak të aksionit të opozitës.

“Ka panik se ai e di që lëvizja dhe beteja është pa kthim, kishte dërguar, oficerë të lartë jo nga prokuroria, por drejtori i krimit ekonomik etj., që nuk mund të vinin kurrë, por të shndërruar në mercenarë mund të bëjnë çfarë u urdhërojnë. Unë nuk i takova. Jo nuk pata asnjë takim personalisht sepse unë do të respektoj kushtetutën, e cila prevalon. Ky ishte turpi i Edi Ramës. Po ti takoja, do i thoja çojani Edi Ramës ta ziejë çaj.

Edhe në një konferencë për shtyp me gazetarët, Berisha hodhi poshtë akuzat e SPAK duke u shprehr se në privatizimin e ish-kompleksit partizani nuk ka pasur asnjë shkelje nga ana e tij.