Berisha: Drafti i Ramës për Asociacionin rëndon krizën në veriun e Kosovës

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët online, Sali Berisha ka komentuar edhe propozimin e Kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos e rëndojë krizën në veri me Edi Ramën.

Ai theksoi se propozimi i Ramës është krijuar nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç.

“Edi Rama propozoi, jashtë çdo lloj kodi, në një ndërhyrje flagrante në punët e një vendi, projektin e të ashtuquajturit Asociacion. Pa asnjë tagër, pa asnjë autoritet. Ky projekt sigurisht u hodh poshtë nga të gjitha forcat politike të Kosovës. Pasi Kosova nuk e pranoi atë, u detyrua dhe padroni i Ramës të thotë se ai nuk na përshtatet. Por, Edi Rama atë projekt e mori nga sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiçi. Përveç projektit, ai përdori një gjuhë ndaj Kosovës, që Putini do ia kishte lakmi.

Kosova do kthehet në kohën e bronzit, tha. Ne kemi mbajtur qëndrimet tona, por shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para se gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç. Ai kërkon me çdo kusht që ato komuna, pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, t’i ketë të qeverisura prej tij. Sikundër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për bashkërendim dhe bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA”, u shpreh Berisha.