Berisha: Drafti i Ramës për Asociacionin, ndërhyrja më brutale në punët e brendshme të Kosovës

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh në Kuvend, se propozimi i kryeministrit Rama për Asociacionin ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës. Edhe anulimin e mbledhjes mes dy qeverive, Berisha e konsideron një akt antishqiptar të Ramës. Pasi akuzoi Ramën për draftin, u shpreh se ai veçse e përkeqësoi gjendjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Paraqitja që ai bëri projektit të Asociacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës. Në një akt antikombëtar, antishqiptar, duke e konsideruar Kosovën, jo si vend të pavarur, por vasal, anuloi takimin me qeverinë e Kosovës, sepse ajo nuk pranoi të diskutojë për draftin e tij të marrë në sirtaret e Vuçiçit. Ai bëri një provokacion të rëndë dhe përkeqësoi më tej gjendjen e dialogut të vështirë mes Prishtinës dhe Beogradit. Rama e bëri këtë jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit, por e bëri sepse Korriku po vjen, ai është në hetim të hapur për aferën McGonigal. Ai flet për komunitetin euroatlantik, por është i vetmi që i ka kompromentuar një nga njerëzit më të rëndësishëm udhëheqësit”, u shpreh Berisha.

Në këtë mënyrë, sipas Berishës, ai është i gatshëm që të kryejë çdo akt vetëm që të lehtësojë ‘pozitën e tij të pashpresë’.

“Edi Rama tani ka humbur, s’vjen dot as këtu. Kur del në media del sterr i zi, i shfazuar, nuk di çfarë flet. Në rast se flasim për Kosovën, në radhë të parë duhet të flasim për mosndërhyrje në punë të brendshme të saj për interesa personale, apo për interesa të Vuçiç”, tha Berisha.

Sa i përket rrëmbimit të policëve, Berisha u shpreh se ajo përbën një akt terrorist.

“I bëj thirrje KFOR-it, komunitetit ndërkombëtar, të ndërhyjë për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer. Rikthimin etyre në vendin e tyre dhe dënimin e atij që sillet si një fqinj zuzar që nuk njeh ligj të brendshëm, as ligj ndërkombëtar”, tha Berisha. /tvklan.al