Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka refuzuar të komentojë letrën e dërguar nga kompania lobuese në SHBA, e cila kërkonte që të hiqej non-grata me argumentin se Berisha është politikan aktiv, ndryshe nga më parë kur thuhej se ishte pensionist.
“Për këtë nuk kam koment. Në lidhje me këtë gjë, drejtohuni kompanisë dhe jo mua. Nuk jam zëdhënësi i kompanisë, s’flas për gjëra që s’më takojnë…”
Me fokusin te turizmi, kryedemokrati ka pranuar rritjen e turistëve në Shqipëri përgjatë viteve, mirëpo thotë se shifrat e paraqitura nga qeveria janë të manipuluara, ndërsa shkakun e gjen te paratë ilegale.
“Numri i turistëve ka vazhduar të rritet në mënyrë të padiskutueshme. 2-3 vitet e fundit është paraqitur një numër prej 10 milionësh, që përbën një mashtrim të vërtetë, sepse përfshin të gjithë pasagjerët shqiptarë dhe rajonalë të linjave të lira të Rinasit. Por pavarësisht nga ky mashtrim i madh, numri i turistëve është rritur në mënyrë të pamohueshme. Mirëpo, viti i kaluar shënoi një rënie drastike në sezonin turistik të turistëve në brigjet, plazhet e deteve dhe liqeneve të Shqipërisë. Kjo rënie drastike vazhdoi edhe këtë vit, akoma më e thellë. Shkaku i kësaj rënieje, në mënyrën më të pabesueshme por edhe të pandershme, fshihet nga narkoqeveria, nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë. E bëjnë nga padija apo frika dhe kodi i mafias, nuk mund ta them.”
Lideri i opozitës kritikoi edhe hartimin e Kodit të ri Penal, duke e quajtur dashakeqësi të kreut të qeverisë, Edi Rama.
/vizionplus.tv