Bëri debutim ëndrrash, Rrahmani ka një dedikim të veçantë për dy golat e tij

Albion Rrahmani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në futbollin rumun.

Sulmuesi kosovar ka realizuar dy gola në fitoren e madhe të Rapidit në udhët te U. Craiova me rezultat 3-5.

22-vjeçari u inkuadrua në fushë në minutën e 46-të, teksa realizoi golin e parë në minutën e 65-të derisa krejt në fund të ndeshjes realizoi me kokë për rezultatin përfundimtar.

Rrahmani iu bashkua javë më parë Rapidit nga Ballkani për shumën e 600 mijë eurove, duke thyer rekordin e transferimeve në futbollin kosovar.

Pas ndeshjes sulmuesi llapjan është shprehur shumë i lumtur me dy golat e shënuar, teksa ka thënë se ata ia dedikon familjes së tij.

“Shpresojmë që në fund të kampionatit të jemi në vendin e parë. Ishte presion, por jam shumë i lumtur që kam shënuar dy gola. Ia dedikoj familjes sime, e cila shpresoj të jetë krenare për mua”.

“Është perfekte, kemi fansa të jashtëzakonshëm. Ne i duam ata, ne luajmë për ta”, tha Rrahmani.

Tutje ai u pyet edhe për kroatin Dugandzic i cili e nisi sfidën nga minuta e parë, duke thënë se atë e ka mik dhe e rëndësishme është që skuadra të fitoj.

“Dugandzic është miku im, nuk ka rëndësi kush luan, është e rëndësishme që ekipet të fitojnë. Projekti i Rapidit është perfekt për mua, kam ardhur këtu me zemër të hapur dhe jam i lumtur që kam nënshkruar”, u shpreh sulmuesi kosovar.