Bekim Sali nga Dublini me mesazh për BE-në: Qytetarët duhet t’i ndiejnë përfitimet e integrimit, pa pritur anëtarësimin!

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë vizitës në Dublin, ka kërkuar që procesi i integrimit evropian të sjellë përfitime konkrete për qytetarët edhe përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Në takimin me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit irlandez, Barry Ward, u diskutua për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, zbatimin e reformave dhe rolin e Irlandës në procesin e zgjerimit të BE-së.

“Zgjerimi duhet të mbetet proces i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita. Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete edhe para anëtarësimit”, theksoi Sali.

Ai përmendi pagesat më të lira përmes sistemit SEPA dhe mundësitë e reja për qytetarët e bizneset si shembuj të përfitimeve nga afrimi me tregun evropian.

Sali ritheksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e reformave dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.