Bekim Sali: Mbështetja ndërkombëtare, garanci për forcimin e kapaciteteve parlamentare

Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, njoftoi se sot ka marrë pjesë në një drekë pune të zhvilluar me përfaqësuesit e Programit për Mbështetje Parlamentare, të udhëhequr nga z. Robert Scott Hazlett. Takimi u mbajt në prani të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, nënkryetarëve dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori i ri i Zvicrës në vend, z. Christoph Sommer.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi prioritetet e Kuvendit për vitin 2026 dhe mënyrat për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e efikasitetit të punës parlamentare.

Sali vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Programit për Mbështetje Parlamentare, duke theksuar se ajo është thelbësore për forcimin e transparencës, profesionalizmit dhe efikasitetit në punën e Kuvendit.