Bekim Fazliu nga Lëvizja Abrëria, pjesë e koalicionit VLEN, ka reaguar përmes një shkrimi ndaj fushatës së nisur nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Fazliu thekson se problemi nuk qëndron te postimet apo iniciativat simbolike, por te mungesa e një zgjidhjeje ligjore ndër vite. Ai kujton se për më shumë se 20 vjet, pavarësisht ndërrimit të ministrave të Drejtësisë, nuk është miratuar asnjë ligj që do ta garantonte këtë të drejtë për shqiptarët.
Në reagimin e tij, Fazliu rendit edhe emrat e shtatë ministrave të Drejtësisë pas vitit 2001, kryesisht nga radhët e BDI-së, duke i akuzuar për dështim institucional dhe mungesë rezultatesh konkrete në këtë çështje.
Megjithatë, ai shpreh mbështetje të fuqishme për iniciativën e studentëve shqiptarë, duke theksuar se kërkesa për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është e drejtë dhe e vonuar.
“Kemi thënë moti se duhet ligj, jo postime. Për 20 vjet nuk u bë asgjë,” shkruan Fazliu, duke shtuar se pavarësisht kësaj, përkrahja për studentët mbetet e plotë.
Çështja e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në shqip ka qenë në fokus të debatit publik ditët e fundit, pas reagimeve të studentëve dhe përfshirjes së ambasadorit Meidani në këtë nismë./ZYRTARE.net/



