Bekim Fazliu me ca pyetje për një shok që do me dalë nesër në protestë

Kryetari i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën e paralajmëruar për çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë, duke drejtuar një sërë pyetjesh ndaj pjesëmarrësve dhe duke kritikuar BDI-në për përgjegjësinë që, sipas tij, mban për situatën e krijuar, përcjell tetova1

Fazliu shtron disa pyetje lidhur me ligjin për emërtimin e rrugëve, votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe periudhën 20-vjeçare të qeverisjes së BDI-së. Ai përmend edhe çështje të tjera, si projekti “Open Ballkani”, gjendjen e infrastrukturës në Tetovë, tragjedinë në spitalin modular dhe menaxhimin e disa proceseve lokale.
Në fund të reagimit, Fazliu thekson se Tetova duhet t’i ketë të gjitha rrugët me emra shqiptarë, por vlerëson se protesta nuk mund të udhëhiqet nga ata që, sipas tij, nuk e zgjidhën këtë problem gjatë kohës sa ishin në pushtet.

Postimi i plotë:

“Ca pyetje për një shok që do me dalë nesër në protestë:

1.Kush e miratoi ligjin që për emërtimin e rrugëve të merret njëherë pëlqimi i Qeverisë, e pastaj në komunat me shumicë shqiptare të votojnë patjetër shumica e këshilltarëve maqedonas? A do kesh një pankartë kundër atyre që ngritën dorën PRO?

2.Kush i votoi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që anuluan vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës? A do të mbash edhe një pankartë kundër deputetëve të BDI-së që i votuan ata?

3.Çfarë bëri BDI për 20 vjet në qeveri që nuk arriti të sigurojë pëlqim për emërtimin e rrugëve në shumicën e komunave shqiptare që ende mbajnë emra sllavë? A do kesh pankarta për paaftësinë dydekadëshe të tyre?

4.Kur nesër të protestosh, a do kesh pankarta edhe kundër krerëve të BDI-së që fotografoheshin me pasardhësit e Titos, Vuçiqin, Daçiqin e Dikoviqin, që luftonin duke dalë edhe kundër Kosovës në mbështetje të “Open Ballkanin”?
Kot pyejte: a do dilni nesër edhe me pankartën “Poshtë Open Ballkani bashkë me pionerët e tij”?
5.A do protestojë bashkë me ty edhe funksionarët e BDI-së, ish oficerat e JNA-së me shokët e tyre?

6.A do të kërkosh llogari për tentativën e shitjes së “Shik Jellakut” Daka Davidoviqit, për ujin e Tetovës, për rrugët që mbetën të parregulluara dhe për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës edhe pse kishim një parti për 20 vjet në pushtet?

7.Meqë do të dalësh në protestën e Tetovës, a do ta ngresh zërin edhe kundër atyre që i quajtën tetovarët “bythpamuka” dhe sidomos kundër atyre që zgërdhiheshin kur flisnin se si do bëjnë “harem me tetovarkat”?
A do të protestojnë edhe ata krah jush?
Nëse nuk proteston për të gjitha këto, dhe shumë të tjera që mund të të kujtohen vetë, atëherë kot gënjen se po del të protestosh kundër vendimit të Kushtetueses. Ti shoqi jem po del të protestosh me urdhër partie. Kushtetuesja e emrave të rrugëve, gjendet në Shkup, a selia e BDI-së në Reçicë të Vogël. Këto janë dy adresat ku duhet drejtuar protesta.

Tetova duhet t’i ketë të gjitha rrugët me emra shqiptarë dhe kjo është një kauzë legjitime. Por protestën nuk mund ta udhëheqin ata që nuk e zgjidhën këtë problem në 20 vite sa kishin pushtetin apsolut”, ka shkruar Fazliu./tetova1.mk