Begaj viziton Çashkën, pritet nga kryetari i Komunës Suat Shaqiri

Presidenti i Shqipërisë në vizitën e tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut ka vizituar edhe Komunën e Çashkës, ku u prit nga kryetari i Komunës Suat Shaqiri, transmeton TV21.

Për vizitën e Begajt njoftoi Shaqiri në rrjetin social Facebook.

Shaqiri thekson se me presidentin shqiptar kanë diskutuar për forcimin e frymës multietnike të Çashkës, ku çdo qytetarë të ndjehet i barabartë dhe i përfaqësuar.

Statusi i plotë i Kryetarit të Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri.

Sot, Komuna e Çashkës pati nderin dhe kënaqësinë të mirëpresë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Vizita e tij përbën një moment të veçantë për komunën tonë dhe për të gjithë qytetarët.

Në cilësinë e kryetarit të Komunës, pata kënaqësinë që së bashku me Presidentin të zhvillojmë një bisedë të hapur dhe konstruktive.

Diskutuam për forcimin e frymës multietnike të Çashkës, duke theksuar rëndësinë që çdo qytetar, pa dallim, të ndihet i barabartë dhe i përfaqësuar.

Një falënderim i veçantë shkon për administratën e komunës për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në organizimin e kësaj vizite.

Me theks të veçantë falënderoj popullin tim shqiptar për mikpritjen e ngrohtë që i rezervoi Presidentit në vendlindjen time, Jabollçishtë e Epërme,(Jabollçishtë e poshtme, Veanofcë Banjicë,Sogle, Otishtinë Ellovëc, Mellnicë) gjithashtu falënderoj udhëheqësin e Shkollës Fillore(Drejtorin dhe z.Drejtorin) “Liria”, si dhe të gjithë arsimtarët për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në mikpritjen e Presidentit.

Ky moment i rëndësishëm nuk do të ishte i plotë pa kontributin e çmuar të mërgatës sonë, e cila tre muaj më parë dha mbështetje të madhe.

Këto janë frytet e punës dhe kontributit tonë të përbashkët për të zhvilluar dhe forcuar elementin kombëtar.

Le të qëndrojmë të bashkuar si popull, pa u dalluar në aspektin fetar apo kombëtar, sepse vetëm të bashkuar do t’i gëzojmë të mirat e përbashkëta dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.