Begaj telefonon Osmanin, flasin për zhvillimet e fundit në veri

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka telefonuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për të biseduar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri.

Ai u shpreh se ka inkurajuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke pasur në vëmendjen, siç u shpreh ai ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO, përcjell Klankosova.tv.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO. Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.