Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Forumin e Prespës për Dialog që po mbahet në Strugë tha se Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm, përcjell TV21. Begaj shprehu zhgënjimin e tij për mos zbatimin e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke. Askush nuk mund të vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm”, pohoi Begaj./tv21.tv