Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrumenti kryesor i integrimit në BE

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po udhëheq Samitin e Brdo-Brijunit në Durrës, në fillim të këtij procesi, bëri thirrje për bashkëpunim më të fuqishëm mes Ballkanit Perdëndimor.

Në fjalën e tij hapëse, Begaj tha se bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, transmeton Klankosova.tv.

“Sot Shqipëria mikëpret Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë, si bashkëkryesues të Presidencës së Brdo-Brijunit, ne vlerësojmë rolin e kësaj platforme, si mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunime rajonale, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, rininë dhe hartimin e përmbajtjes së fuqisë së kualifikuar punëtorë, sidomos të rinisë në vendet tona”, deklaroi i pari i Shqipërisë.

“Shqipëria mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin, dhe procesin e integrimit evropian. Vlerësojmë progresin e arritur në këto drejtime. Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Brdo-Brijunit”.