Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të mërkurën se Brukseli po shqyrton disa baza që mund të përdoren për të trajnuar trupat ukrainase në vendin e shkatërruar nga lufta, nëse arrihet një marrëveshje për të ndaluar luftimet.
“Kemi diskutuar trajnimin e ushtarëve ukrainas, gjithashtu në tokën e Ukrainës”, tha Kallas në një takim të ministrave të mbrojtjes të BE-së, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kemi identifikuar dy qendra trajnimi që mund të përdoren për këtë qëllim”, tha ajo, pa dhënë detaje.
BE-ja ka thënë se mund të fillojë trajnimin e forcave ukrainase në atdheun e tyre, si pjesë e garancive perëndimore të sigurisë sipas çdo marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare të Rusisë.
Blloku 27-vendesh ka trajnuar tashmë rreth 90,000 ushtarë ukrainas në tokën e BE-së, si pjesë e një programi të përbashkët evropian.
E një zyrtar i BE-së tha se rinovimet e objekteve të trajnimit mund të fillojnë para se të ndalen luftimet.
Disa nga mbështetësit evropianë të Ukrainës – të udhëhequr nga Britania dhe Franca – kanë thënë se janë të gatshëm të vendosin trupat e tyre në Ukrainë nëse përpjekjet e Shteteve të Bashkuara i japin fund konfliktit.
Rusia ka paralajmëruar se nuk do të pranojë trupa nga vendet e NATO-s në tokën ukrainase dhe do t’i konsiderojë ato një “objektiv legjitim”.



