BE: Shqyrtoni urgjent imunitetin e Ballukut, drejtësia kusht për integrimin

Bashkimi Evropian i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë me urgjencë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Komisioni Europian në një përgjigje ekskluzive për Syri Tv shprehet se lufta kundër korrupsionit është thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Komisioni vë theksin tek rëndësia e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si një prej kushteve kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Bashkim Europian, kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë urgjentisht kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Komisioni Evropian, në një përgjigje ekskluzive për Syri Televizion, e cilëson luftën kundër korrupsionit si thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Reagimi i komisionit europian, vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nuk do të japë autorizimin që do t’i hapë rruge arrestimit të zëvendëses së tij.

“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, që përbën edhe pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Institucionet e Bashkimit Europian janë në dialog të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare. Mbledhja e Komitetit BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të muajit mars dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.”

I pyetur nëse kjo çështje mund të ndikojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Komisioni Europian, e cilëson kushte thelbësor ndërsa thekson se do të vijojë monitorimin konstant të zbatimit të reformës në drejtësi.

“Bashkimi Europian i kushton një rëndësi të veçantë sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si edhe punës së kryer në kuadër të reformës në drejtësi. Komisioni Europian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë përbërëse e procesit të integrimit europian të vendit.”

Alarmi i komisionit europian, vjen teksa prej muajit dhjetor, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, po mbajnë në sirtarët e Kuvendit, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, që do të çonte në pranga, zv.kryeministren, ndërsa këtë të hënë Rama njoftoi se mazhoranca nuk ka në plan të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë speciale.

© SYRI.net