BE përgatitet për miliona refugjatë nga Ukraina

Bashkimi Evropian po përgatitet për miliona refugjatë nga lufta në Ukrainë, tha të martën komisionarja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

Johansson tha se është vështirë të thuhet me saktësi se sa refugjatë do të kalojnë kufijtë e BE-së, pasi mbi 400,000 tashmë kanë kaluar.

Shumë prej tyre përballen me pritje të gjata në kalimet në Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Rumani – shtete të BE-së që ndodhen në kufi me Ukrainën.

“Fatkeqësisht, ne duhet të përgatitemi për ardhjen e miliona njerëzve”, tha Johansson gjatë një vizite në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

“Në të njëjtën kohë, kemi nevoja të mëdha dhe urgjente humanitare në Ukrainë, ku shumë njerëz janë zhvendosur brendapërbrenda”, shtoi ajo.

Johansson tha se shpreson se Këshilli Evropian do ta aktivizojë direktivën e përkohshme të mbrojtjes – nga e enjtja – për t’iu dhënë mbrojtje atyre që ikin.

Kjo do të ishte hera e parë për një gjë të tillë në BE.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin, duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër subjekteve dhe individëve rusë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga ky vend.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.