Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje mbi rregulloren e re të riatdhesimeve dhe ka finalizuar listën e vendeve të origjinës që konsiderohen “të sigurta”.
Sipas la Repubblica-s, ky zhvillim ishte vendimtar për ministrin italian të Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili ndodhet në Bruksel për Këshillin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë.
Me këtë vendim në dorë, ai synon t’i propozojë Këshillit të Ministrave projektligjin që pritet të zhbllokojë përdorimin e qendrës së pritjes dhe procedimit të migrantëve në Shqipëri.
Sipas vendimit të së hënës, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia konsiderohen zyrtarisht vende të sigurta.
Për qytetarët që vijnë nga këto shtete do të aplikohen procedura të përshpejtuara, të cilat në shumicën e rasteve pritet të përfundojnë me refuzim të kërkesës për azil – ose me zhvendosjen e shqyrtimit të saj në një vend të tretë të sigurt nga i cili kanë kaluar.
Vendimi i përgjigjet drejtpërdrejt kërkesave të Italisë, e cila regjistron numër të lartë mbërritjesh pikërisht nga Bangladeshi, Egjipti dhe Tunizia.
Sipas la Repubblica, koncepti i ri i lejon vendeve anëtare të shpallin një kërkesë për azil si të papranueshme pa hyrë në meritë, nëse kërkuesi ka pasur mundësi të aplikojë për mbrojtje në një vend të tretë të sigurt gjatë rrugës së tij drejt Evropës.
Për shembull, një migrant nga Afrika Subsahariane që ka kaluar përmes Marokut apo Tunizisë mund të konsiderohet se duhet ta ketë kërkuar azilin aty.
BE-ja ka përcaktuar gjithashtu kushtin që një vend të vlerësohet i sigurt nëse përqindja e njohjes së statusit të azilit për shtetasit e tij nuk tejkalon 20 për qind.
Marrëveshja e re krijon bazën ligjore për ngritjen e të ashtuquajturve return hubs në vende të treta – një model që disa vende anëtare, përfshirë Italinë dhe Shqipërinë, po e shqyrtojnë aktivisht.
“Do të ishte pozitive nëse disa shtete do të bashkonin forcat”, deklaroi komisioneri evropian për Migracionin, Magnus Brunner, i cituar nga la Repubblica.
“La Repubblica” raporton se në diskutimet për qendrat e riatdhesimit ka aderuar edhe Gjermania, megjithëse nuk sqarohet se pjesëmarrja e Berlinit lidhet me marrëveshjen ekzistuese Itali-Shqipëri për strukturat e pritjes jashtë BE-së.
“Ne tanimë kemi vendosur bazën ligjore që ide të tilla të merren në konsideratë”, shtoi ai.
Ende në tryezë mbetet ndarja e detyrimeve midis vendeve anëtare për të ndihmuar shtetet e para të mbërritjes.
Disa vende, si Finlanda, kanë deklaruar se janë të gatshme të kontribuojnë vetëm financiarisht, por jo të pranojnë migrantë në territorin e tyre.
Komisioneri Brunner mbetet optimist: “Jam shumë i besuar se sot do të gjejmë një zgjidhje, sepse kjo është pjesë thelbësore e paktit të ri evropian për migracionin”.




