BE kushtëzon financimet për zbatimin e marrëveshjes, zbardhen 11 pikat e dakordësuara në Ohër

Kurti dhe Vuçiç 5 muaj kohë të zbatojnë planin

Bashkimi Evropian publikoi pikat e marrëveshjes së dakordësuar, por pa firma të arritur në Ohër të shtunën, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuҫiç.

Në aneksin që përmban 11 pika përcaktohet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes, për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Palët në Ohër ranë dakord dhe janë të qartë se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Kosova dhe Serbia do të miratojnë urgjentisht Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ashtu edhe siç u tha edhe më herët, për të zbatuar Nenin 7, të marrëveshjes Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

Brenda 30 ditësh, sipas dakordësisë së palëve do të ngrihet një Komitet të Përbashkët Monitorues, i kryesuar nga BE-ja, i cili do të mbikqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave.

Bashkimi Evropian do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.

Por sipas ankesit të marrëveshjes së 18 Marsit asnjë fond nuk do të shpërndahet përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i detyrimeve të tyre që rrjedhin nga marrëveshja e dakordësuar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Klan News