Bashkimi Evropian ka pak gjasa të arrijë një marrëveshje mbi paketën e re, të 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, përpara përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës, që shënohet nesër, pasi Hungaria është zotuar ta bllokojë atë.
Shefeja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka pranuar mëngjesin e së hënës se “nuk do të ketë përparim” për këtë çështje sot, pasi Budapesti pritet ta bllokojë miratimin e sanksioneve.
“Ne po bëjmë çmos që paketa e sanksioneve… të kalojë… dhe po kërkojmë mënyra se si mund ta bëjmë këtë. Por, meqenëse kemi dëgjuar disa deklarata shumë të forta nga Hungaria,… nuk shoh vërtet… se ata do ta ndryshojnë këtë për fat të keq sot”, ka deklaruar ajo.
Hungaria kundërshton masat e propozuara si dhe pagesën e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si pjesë e mosmarrëveshjes së saj në rritje me Ukrainën në lidhje me tranzitin e naftës duke përdorur tubacionin Druzhba.
Ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka thënë të dielën se “derisa Ukraina të rifillojë tranzitin e naftës në Hungari dhe Sllovaki nëpërmjet tubacionit Druzhba, ne nuk do të lejojmë që vendimet e rëndësishme për Kievin të ecin përpara”.



