BE-ja pret që komisioni i përbashkët të japë kontribut në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Një ditë pas takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel i dërguari i posaçëm për dialog Peter Sorensen ka lëshuar një komunikatë ku konfirmon zhvillimin e parë të takimit trepalësh të Komisionit të përbashkët për të pagjeturit. Ky komision ishte formuar si rezultat i marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në maj të vitit 2023 gjatë një takimi në nivel të lartë.

Në deklaratën e Sorensenit thuhet se qëllimi i këtij komisioni është të mbikëqyr zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit që do të kontribuonte në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që përfshin edhe personat e zhdukur me dhunë, të ofrojë të vërtetën për familjet dhe të ndihmojë paqen dhe pajtimin e qëndrueshëm.

Ky Komision do të mbështes Grupin punues për personat e pagjetur, që udhëhiqet nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar, duke lehtësuar aktivitetet e palëve në implementim dhe zgjidhjen e mospajtimeve gjatë procesit.

“Fasilituesi i BE-së, Kosova, Serbia dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtarë mund t’i drejtohen Komisionit me çfarëdo pyetje lidhur me implementimin, aplikimin apo interpretimin e Deklaratës” thuhet në prononcimin e të dërguarit të posaçëm për dialog.

“BE ka pritje të mëdha nga Komisioni i përbashkët për të dhënë kontribut në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për të ndihmuar në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet të cilat kanë pritur aq shumë për përgjigje thuhet më tej në këtë komunikatë.