BE-ja konfirmon pranimin e kërkesës së Haxhiut për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, lidhur me dërgimin e një misioni vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Pas pyetjeve të dërguara nga Telegrafi, një zyrtar i Komisionit Evropian konfirmoi se kërkesa është pranuar dhe po shqyrtohet.

“Konfirmojmë se e kemi pranuar kërkesën nga Presidentja në detyrë. Jemi duke e shqyrtuar dhe do të përgjigjemi në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Telegrafin.

Më herët gjatë, Presidenca e Kosovës kishte bërë të ditur se Haxhiu i ka dërguar letër kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Sipas Presidencës, përmes kësaj letre është kërkuar që Bashkimi Evropian të dërgojë një mision të pavarur vëzhgues për të përcjellë dhe vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë.

“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Zgjedhje e parakohshme parlamentate në Kosovë do të mbahen me 7 qershor.