BE-ja i besoi Erdoganit, tani nuk ka plan B për refugjatët

Erdogani e realizoi kërcënimin dhe i lëshoi refugjatët në Evropë, mijëra refugjatë ndodhen në kufijtë grekë dhe bullgarë. Është tragjike që BE-ja tani duhet të kujdeset për veten e saj por akoma nuk ka një plan.

BE-ja i ka besuar Turqisë për katër vjet si roje para portave të refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë. Tani presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka realizuar kërcënimin e tij. Turqia po sjell azilkërkuesit në mënyrë të organizuar në kufijtë e Greqisë dhe të Bullgarisë.

Erdogani në këtë mënyrë anuloi marrëveshjen e refugjatëve në mars të vitit 2016. Ai udhëheq politikën përmes shpinës së emigrantëve që po kampojnë para kufijve. Është e paqartë se cili është saktësisht qëllimi i presidentit turk – ai ka arritur në një qorrsokak ose në bllokim në politikën e jashtme në disa fronte. Është e vështirë që të arrijë një marrëveshje më të mirë me shantazhe.

Është fakti se Turqia ka pranuar 3.6 milionë refugjatë sirianë. Është e kuptueshme që Ankaraja po kërkon më shumë ndihmë financiare dhe po e zhbllokon valvulin për të lehtësuar “presionin e emigracionit” sepse qindra mijëra njerëz nga rajoni sirian Idlib, ku po zhvillohen luftëra të ashpra, ende dëshirojnë të hyjnë në Turqi.

Evropa nuk ka plan B

Por çfarë po ndërmerr BE-ja? Thirrja për samite të veçanta dhe thirrje për forcimin e shërbimit kufitar Fronteks janë hipokrizi e pastër. Sepse për vite me radhë, lidershipi i BE-së ka qenë në dijeni se një marrëveshje me Turqinë është një zgjidhje e përkohshme dhe jostabile.

Komisioni Evropian ka bërë më shumë përpjekje për të vendosur një sistem më të mirë azili dhe shpërndarjen e emigrantëve nga Siria, Afganistani, Irani dhe vendet afrikane. Të gjitha përpjekjet dështuan për shkak të kundërshtimit nga anëtaret e BE-së, dhe jo vetëm skeptikët e zakonshëm nga Polonia, Hungaria, Austria apo Italia.

Në shumë vende të BE-së, u përforcua opozita e krahut të djathtë dhe ajo populiste e cila refuzon që të pranojë refugjatë dhe jo më t’i pranojë përgjithmonë emigrantët.

BE-ja kurrë nuk ka zbatuar plotësisht marrëveshjen e refugjatëve me Turqinë. Greqia dhe shërbimet e BE-së nuk kanë arritur të organizojnë siç duhet procedurën e azilit. Pasoja është një situatë e frikshme në qendrat e refugjatëve, si Moria në ishullin Lesbos. Apo ndoshta qëllimi ishte që të krijonte imazhe të frikshme për të dekurajuar emigrantët e tjerë?

BE u mbështet mbi Turqin. Nuk ka asnjë plan B tani për tani. Greqia dhe Bullgaria kanë mbyllur kufirin, por është një përpjekje e dëshpëruar për të parandaluar hyrjen e emigrantëve dhe nuk mund të zgjasë shumë. Sipas Konventës së Refugjatëve dhe rregullave të BE-së, të ardhurit kanë të drejtë të kontrollohen nëse janë refugjatë që duhet të mbrohen.

Fundi i solidaritetit dhe së drejtës

Dhe çfarë do të ndodhë tani? Të ndërtohet një mur sepse gardhet me tela tashmë ekzistojnë? Të mbyllen kufijtë e brendshëm midis vendeve të BE-së? Të braktiset Konventa e KB-së për refugjatët?

Justifikohet frika se shumica e anëtarëve të BE-së do të qëndrojnë të vendosur dhe do të zhvendosin përgjegjësinë tek shtetet kufitare, Greqia, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Austria, Malta, Spanja dhe Italia.

Lamtumirë solidaritetit evropian, të drejtës ndërkombëtare dhe bamirësisë./DW