Bashkimi Evropian ka hequr disa prej masave ndaj Kosovës, sipas një letre të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, për zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.
Sipas letrës, mjetet janë liruar për katër projekte, dhe si pasojë e asaj që është vlerësuar si transferim i duhur i pushtetit lokal në veri, pas zgjedhjeve të tetorit. Në një shkrim në Facebook, Bislimi ka thënë se bëhet fjalë për projekte në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
“Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”, thuhet në letër.
E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se kjo është dëshmi që Komisioni nuk do t’i heqë tash masat në tërësi dhe se paralajmërimi për heqjen e 50 për qind të masave, do të bëhet në mënyrë graduale.
“Megjithatë, mund të thuhet se nga sot ka nisur heqja e masave graduale”, ka thënë ai.
Siç ka njoftuar Palokaj, disa burime në Bruksel kanë thënë se këto mjete janë liruar për arsye se mund të humbnin shpejt sepse po u skadonte afati për përdorim.
Komisioni po ashtu ka kërkuar nga Kosova që t’i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve të IPA-s, pra të paraanëtarësimit për periudhën 2026-2027, si dhe se ato duhet të miratohen edhe nga Komisioni Evropian e të mbështeten nga vendet anëtare.
Palokaj ka thënë se në Bruksel ka mungesë të transparencës për çështjen e masave.
Ndërkaq Bislimi ka thënë se Qeveria vazhdimisht ka insistuar për heqjen e masave, ndërsa ka thënë se hapi pasues duhet të jetë heqja e plotë e masave.
“Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbahen në fuqi, sidomos pas transferimit të pushteti në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar ai.
Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën në Bruksel për procesin e zgjerimit dhe i kanë miratuar konkluzionet për këtë proces. Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli përsërit konkluzionet nga e kaluara dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, një formulim që është më pozitiv sesa ato të mëparshmet, mirëpo formulim që nuk sqaron deri në fund se çfarë do të ndodhë dhe kur me masat ndaj Kosovës.




