BE-ja, “dush të ftohtë” për Ballkanin Perëndomor

Shkruan: Muhamer PAJAZITI

Kohëve të fundit brenda Bashkimit Evropian po zhvillohet një debatë pa një enuziazëm të madh për procesin e zgjerimit të BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor.

Ajo që bie në sy është se nuk parashihet ndonjë perspektivë e qartë për rajonin, i cili po vazhdon të prodhoj tensione me udhëheqës të pa përgjegjshëm, duke shkuar drejtë getoizimit.

Këto oferta të lira, po vijnë për faktin se ky rajon vazhdon të ketë një mal me probleme.

Qartazi, BE-së i duhen edhe 10 vite për mbyllur kontestet e hapura ndërmjet shteteve që aspirojnë anëtarësimin si dhe për ti arnuar ekonomitë e tyre jo funskionale dhe jo konkurrente.

Brukselit zyrtar i duhet akoma kohë për ti zhvilluar rajonet e varfëra dhe të prapambetura të këtyre republikave, të cilat janë pengje të politikanëve të pa aftë, që sillen sikur të fëmijë të lazdruar dhe “sherrxhi”.

“Plani Ekonomik dhe Investues” i Bashkimit Evropian që u premtua në vlerë prej 30 miliardë eurosh për rajonin gjatë 7 viteve të ardhshme nuk shihet askund.
Kjo situatë sigurishtë se i përshtatet shteteve si Kina, Turqia që me projekte konkrete dhe investime të shtuara ta rrisin ndikimin e tyre. Në këtë drejtim drejtim Rusisë do ti duhet akoma kohë që ti shëroj plagët e marra nga lufta në Ukrainë.

Për ta ndryshuar këtë situatë, sërish i del punë me një kosto më të lartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse BE-ja vazhdon të mbetet e pa unifikuar në politikën e jashtme, si një “xhuxh politik”

Duhet të pranojmë se BE-ja ka probleme të mëdha, të cilat kanë të bëjnë me vendimmarrjen dhe ndikimet e disa shteteve nga zhvillimet e fundit gjeopolitike.
Nëse e shohim realitetin në disa Shtete Anëtare, nuk duket në horizont ndonjë shpresë e madhe për vazhdimin e rrugëtimit të BE-së. Pedalet e bicikletës mund të ndalen dhe ajo të rrëzohet për tokë.

Ose në të kundërtën duhet një rikonfigurim i ri në kurriz të Ballkanit Perëndimor, i cili për më shumë se 20 vite ka ngelur në klasë, duke mos qenë të gjendje ta mësoj mësimin dhe detyrat e parashtruara nga Komisioni Evropian.
Tani mbetet dilema, a duhet që BE-ja sërish të marrë vendime politike, sikur në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, duke i shkelur parimet e veta, apo të shikoj ndonjë mundësi alternative për ti mbajtur këto shtete larg ndikimeve të lindjes.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg kohë më parë e propozoi një plan.
Schallenbergu tha se për t’i larguar nga orbita e Rusisë vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ai përfytyronte një sistem, ku ato të integroheshin në fusha specifike, si energjia, transporti dhe tregu i brendshëm, por pa i bërë anëtare zyrtare të BE.

Kjo do të thotë se Ballkani mund të integrohet vetëm një shtyllën e parë të BE-së që ka të bëjë me ekonominë, pra ne mund të blejmë mallra dhe të shesin në BE, mund të japim dhe marrin shërbime si dhe të investojmë kapitalin tonë atje, mund të lëvizim lirshëm, por jo më tepër.
Gjithashtu me burimet e energjisë duhet të jemi sinkron me Shtetet Anëtare të BE-së.

Por më shumë bujë nga propozimet e fundit bëri propozimi i Presidentit francez Emmanuel Macron. Në 9 maj, Macroni tha para Parlamentit Evropian në Strasburg dhe pak më vonë në Berlin se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i vetmi mjet për strukturimin e kontinentit. Ai propozoi një “komunitet politik evropian” për ato shtete që nuk janë pjekur për anëtarësim në BE.

Sipas Macronit një qasje e tillë do t’i lejonte Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ballkanit Perëndimor dhe “atyre që janë larguar nga BE” të bëhen më shpejt pjesë e një Evrope politike. “Është një mënyrë për të ankoruar vendet që janë gjeografikisht në Evropë dhe që ndajnë vlerat tona”, tha ai. Macroni propozoi me fjalë të tjera një nivel të dytë bashkëpunimi me BE, ku shtetet do të trajnoheshin për anëtarësim në BE.

Tani, si mund të bëhet Ballkani pjesë e Evropës politike, kur akoma nuk është bërë pjesë e Evropës Ekonomike.?

Në gjithë këtë debatë, Gjermania duket më optimistja. Kancelari Olaf Scholz thotë se vendet e rajonit, vecanarishtë, Shqipëria dhe Maqedonia nuk duhet të dekurajohen. Sipas tij, BE-ja duhet të tregohet e drejtë me gjashtë vendet e Ballkanit.

Dilemat dhe mosguximi

Në këto rrethana, Bashkimi Evropian sot gjendet përballë një dileme, ose të shkoj me një hap të guximshëm drejtë miratimit të një Kushtetute Evropiane, ku shtetet Anëtare do ta dorëzojnë sovranitetin e tyre edhe në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke krijuar edhe një Ushtri evropiane, Gjykatë Evropiane me kompetenca më të fuqishme dhe rregulla të unifikuara në politikën e jashtme, ose të kthehet në shtyllën e parë, vetëm në bashkëpunimin ekonomik dhe avansimin e katër lirive themelore përmes të cilave funksionon Tregu i Brendshëm i BE-së.

Në këtë drejtim është e domosdoshme të gjenden e ide që inkurajojnë shtetasit e BE-së, të cilët duken të lodhur dhe kanë humbur besimin tek kjo organizatë. Një numër i madh qytetarësh evropian duket se kanë të vështirë të gjejnë një lidhje midis orientimeve ekonomike dhe sociale të Bashkimit dhe mundësisë për të parë të rritet mirëqenia e tyre.

Më e mira do të ishte që BE-ja të ec përpara duke e integruar Ballkanin dhe Turqinë, ndërsa skenari më i keq do të jetë mbetja vetëm tek bashkëpunimi ekonomik, të cilin nuk e ka aq edhe të sigurtë. Me këtë të fundit do të rikthehet edhe më fuqishëm vendet e lindjes në këtë kontinent, ndërsa BE-ja do të dukej e brishtë duke qëndruar në këmbë të qelqta. (INA)