BDI zhgënjen sërish Kumanovën, nuk e përfillë propozimin për Ilir Hasanin

Shkruan: Alban Aliu

BDI edhe një herë ka zhgënjyer degën e Kumanovës. Ajo që mund të vërehet nga publikimi i listës së kandidatëve për deputetë në zonën numër dy, e cila përfshinë rajonin e Kumanovës, nuk mund të shihet emri i kirurgut Ilir Hasani. I pari në listë është Arbër Ademi, i dyti renditet Berat Ajdari ndërsa në pozitën e tretë është Amella Cana.
Ilir Hasani ishte emri të cilin e kandidoi dega e Kumanovës, ndërsa këtë vet e kishte pohuar kirurgu Hasani.
“Në mbledhjen e degës në Kumanovë u propozua emri im që të jem kandidat i mundshëm për deputet. Por nuk është e vendosur ende pasi, kryetari i partisë dhe strukturat do të vendosin kush do të jetë bartës dhe pjesë e listave. Është mirë që pas kaq kohësh edhe Kumanova të ketë bartës liste”, kishte deklaruar kohë më parë Hasani.
Ajo që mbeti enigmë në opinion është fakti se dikush në BDI me qëllim ka eliminuar Hasanin nga kjo garë.
Kujtojmë se një javë më parë, teksa bëhej përpilimi i listave për deputetë, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkov ka akuzuar Hasanin për disa prona të blerë.
Lidhur me këto pretendime pati reagim të fuqishëm të kirurgut Hasani, i cili i demantoj dhe tha se bëhet fjalë për të pavërteta.
Por, efekti si duket ka arritur në vendin e duhur. Hasanin, përkundër dëshirës së degës së Kumanovës, nuk e shohim në listat e BDI-së, si kandidat për deputetë.