BDI: VLEN për ta mbuluar mungesën e legjitimitetit, zgjedh shpifjet

VLEN për ta mbuluar mospasjen e legjitimitetit etnik- zgjedh shpifjet

Kur nuk kanë argumente për të mbrojtur dështimet e tyre, VLEN zgjedh shpifjet dhe sulmet ndaj BDI-së. Por faktet nuk ndryshojnë.

Vetë ministri Goran Minçev deklaroi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat mund të miratohet edhe me “Badenter të vogël”, ndërsa Izet Mexhiti u detyrua t’i bëjë thirrje opozitës shqiptare që ta mbështesë ligjin. Kjo është prova më e qartë se VLEN nuk e ka legjitimitetin etnik, nuk i ka votat e nevojshme për ligjet që votohen me badenter por i ka vetëm mashtrimet dhe shpifjet!

Në vend që të japë përgjigje pse ligji nuk përmban mekanizma të detyrueshëm, sanksione dhe garanci për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, VLEN përpiqet ta zhvendosë debatin me akuza politike ndaj BDI-së.

BDI nuk do të votojë një ligj që e lë përfaqësimin e drejtë në mëshirën e metodologjive që Qeveria do t’i hartojë post festum. Të mbrosh Marrëveshjen e Ohrit dhe garancitë kushtetuese nuk është bllokadë, por përgjegjësi politike dhe kombëtare.

Ironia është se ata që sot akuzojnë BDI-në për pengim, janë po ata që dje premtuan një mekanizëm më të fortë se Balancuesi, ndërsa sot kanë propozuar një ligj më të dobët se Balancuesi.

VLEN nuk mund ta mashtrojë opinionin duke e paraqitur refuzimin e një ligji të mangët si sulm ndaj interesave shqiptare. Interesat shqiptare nuk mbrohen me propagandë, por me ligje që ofrojnë garanci reale, siguri juridike dhe mekanizma të zbatueshëm.

Nëse VLEN beson se ligji i tyre është i mirë, le ta mbrojnë para qytetarëve. Nëse kanë nevojë për votat e opozitës për t’i dhënë legjitimitet politik një ligji të dështuar, atëherë problemi nuk është te BDI-ja, por te mungesa e besimit që kanë krijuar me premtimet e pambajtura dhe te mangësitë e ligjit që po e propozojnë ashtu siç ua ka hartuar Karakamisheva. ‎