Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Dibër ka reaguar me procesin e sistematizimit të ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që parasheh uljen e Njësisë për Punë të Brendshme-Dibër në njësi të kategorisë së dytë, ku siç thonë, do të humben funksionet kryesore si: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, zëvendëskomandant dhe komandant i pikës kufitare, ndërsa vendimmarrja do të kalon nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se çdo ndryshim që prek strukturën dhe funksionimin e policisë lokale ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve, efikasitetin e shërbimeve dhe ndjenjën e barazisë institucionale për dibranët.
“Dibra është rajon kufitar me rëndësi strategjike dhe kërkon prani të plotë institucionale dhe kapacitete funksionale vendimmarrëse në fushën e sigurisë. Çdo vendim që mund të nënkuptojë dobësim të strukturave lokale apo zhvendosje të kompetencave duhet të shqyrtohet me kujdes maksimal dhe mbi baza profesionale”, thanë nga BDI.
BDI Dega Dibër kërkon që në procesin e sistematizimit të ruhet dhe respektohet statusi institucional i Dibrës, të mos ketë asnjë vendim që cenon sigurinë lokale dhe çdo ndryshim të bëhet me analizë profesionale.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni në TV21 lidhur me emërimin e kryeshefit në Ohër, i cili mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën, tha ndonjëherë është problematike të gjejmë personin adekuat, por shtoi se me sistematizimin e ri që do të bëhet do të kërkohet që sërish ai pozicion t’u takojë shqiptarëve.
“Kjo ka ndodhur para 8 muajsh, normalisht në pamundësi për të gjetur në atë sektor përfaqësues shqiptar, jemi dakorduar që në kombinim të ati pozicioni të marrim pozicione tjera, kështu që ndoshta kemi përfituar pozicione tjera siç janë sektor të tjerë”, tha Iseni.
Lidhur me këtë çështje, ditë më parë reaguan edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.





