BDI: Raporti i KE-së konstaton dështimin e vendit

BDI ndërkohë vlerëson se raporti i KE-së për klasterin e parë përmban kritikat më serioze që ka marrë Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit. Klasteri i parë, siç tha nënkryetari I BDI-së, Arbër Ademi, është thelbi i negociatave me BE-në, pasi i njëjti përfshinë demokracinë, administratën publike, ekonominë dhe prokurimet publike.

“Pa ecuri në këto fusha nuk ka negociata, nuk ka kapituj të ri, nuk ka përparim drejt BE-së. Qeveria aktuale ka dështuar pothuajse në të gjitha standardet themelore evropiane, duke e future procesin integrues në bllokadën më të thellë që ka përjetuar vendi ynë”, theksoi Ademi. Sipas tij, gjetjet e raportit të KE-së konfirmojnë se vendi ka dështuar në sferën e sundimit të ligjit.

“Komisioni Evropian konstaton qartë, nuk ka pasur asnjë përparim në pavarësinë e gjyqësorit. As për gjyqësorin , as për prokurorinë nuk është arritur pavarësi financiare. Për gjyqësorin nuk është përmbushur kushti ligjor 0.8% të PBB-së nga buxheti i shtetit, për prokurorinë nuk është përmbushur kushti ligjor për 0.4% nga PBB”, theksoi Ademi. AI më tej tha se vendi ka ngecje edhe për sa i përket luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa dështimin për këtë ai ia faturon qeverisë.

“Korupsioni mbetet i përhapur, rastet e profilit të lartë nuk përfundojnë kurrë, institucionet anti-korrupsion janë të dobëta dhe joefikase, ngjarjet tragjike të vitit 2025 janë dëshmi e mosfunksionimit të thellë të shtetit. Kjo përbën dështim total të qeverisë për të garantuar llogaridhënie dhe integritet institucional”, theksoi Ademi, ndërsa bëri të ditur se vendi në raport ka përkeqësim të dukshëm edhe për sa i përket lirisë së mediave dhe të drejtave themelore.

“Liria e mediave është dobësuar. Transparenca e pronësisë së mediave mbetet problem serioz, institucionet që mbrojnë të drejtat e qytetarëve, përfshirë Avokatin e Popullit janë të dobësuara ose të pazgjedhura”, theksoi Ademi. Ai gjithashtu kritikoi edhe politizimin drastik të administratës, ligjet që nuk zbatohen dhe rekomandimet e paplotësuara nga viti i kaluar, ndërsa tha se kritikat më të mëdha janë edhe në sferën e ekonomisë

“Sa i përket ekonomisë, këtu kemi jostabilitet dhe jo reforma. Pa stabilitet dhe pa reforma. Raporti thekson mungesë disipline fiskale, projekte kapitale të pashfrytëzuara, rritje të informalitetit, moszbatim të rekomandimeve të planit të rritjes, kjo e vendos ekonominë e vendit në rrezik afatgjatë”, theksoi Ademi. Mesazhi kryesor i Bashkimit Evropian, sipas Ademit është i qartë – mosmarrja e hapave për ndryshimet kushtetuese dhe ngecja në reformat ka ngrirë procesin e negociatave.