BDI ka filluar protestën e paralajmëruar në Tetovë. Protestuesit kanë kundërshtuar ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, duke e sulmuar partnerin shqiptar në Qeverinë e RMV-së, se po heshtë përballë diskriminimit të shqiptarëve, shkruan Portalb.mk.
Me mesazhin kryesor që “Historia nuk abrogohet”, “Edhe rrugët flasin shqip”, si dhe me pankarta “Sa tendera kushton historia?”, “Tito VLEN”, “Për sa na shitët?”, “Argatët e Serbisë Non Grata të Shqypnisë”, BDI e filloi protestën e sotme. Në protestë kishte pjesëmarrës edhe nga Çairi, ku me vete kishin pankarta me mbi shkrimi “Çairi s’duron poshtërimin!” dhe “Çairi për Tetovën”.
Bashkimi Demokratik për Integrim sot (11 korrik) do të dalë për herë të dytë në protestë pasi Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës të sjella në vitin 2007.
Marshi protestues do të fillojë në ora 20:00 nga sheshi i qytetit deri te komuna.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar”, thonë nga BDI.
BDI doli në protestë edhe më 26 qershor.



