Kjo që po ndodh është më shumë se zhgënjim, është tradhti e hapur ndaj çdo arritjeje për të cilën është sakrifikuar me dekada, akuzojnë nga BDI.
Nga atje thonë se Propozim-ligji për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, i hartuar nga Karakamisheva dhe i përkrahur me bujë nga VLEN, nuk është arritje – është regres brutal.
“Propozim që po qarkullon në media: nuk parasheh kuota etnike, që dmth ne prapë do të vazhdojmë si para vitit 2001 kur shqiptarët ishin vetem 0,2 % në administratë; nuk parasheh obligim për institucionet që ti identifikojë në bazë etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit; nuk parasheh dispozita sanksionuese; Me një fjalë: një ligj mashtrimi, kurthi, pa shpirt, pa drejtësi.
Dhe ironia më e madhe? Premtuan avancim të mekanizmave ekzistues, ndërsa në realitet po i shkatërrojnë ato që tashmë ekzistojnë.
Asnjë element në këtë propozim nuk e zbaton frymën e Amendamentit VI të Kushtetutës. Politikën afirmative e kanë varrosur me vetëdije.
Kjo nuk është vetëm dështim politik, është kthim i qëllimshëm prapa, drejt një kohe që shqiptarët e kanë tejkaluar me shumë mund.
Dhe ajo që dhemb më shumë: në këtë dokument që shuan të drejtat, qëndrojnë edhe firma shqiptare”, thonë nga BDI.





